Emanuel Makron: “Serbia duhet të zgjedhë Bashkimin Evropian, përndryshe rrezikon të kthehet në gur shahu…”
Opinion nga Sebastian Zonja
Presidenti francez Emanuel Makron, me anë të një letre publike, përpara mbërritjes së tij në Beograd, kishte një ndër paralajmërimet më të forta për Serbinë.
Letra e publikuar nga media serbe “Danas” shkruan se Serbia duhet të zgjedhë Bashkimin Evropian, përndryshe rrezikon të kthehet në gur shahu nëse kërkon të balancojë të tretët në këtë rajon. Është apel publik i bërë nga Franca, mike e Beogradit zyrtar.
Të tretët në rajon janë Kina, Irani dhe Rusia. Serbia ka marrëdhënie të mira me të treja palët. Marrëdhëniet janë kryesisht ekonomike, ndërkohë që kemi parë edhe shtrirje të influencës politike së fundmi.
“Kur shpërtheu lufta në kontinentin tonë, e iniciuar nga Rusia… ideja se Serbia mund të gjejë rrugën e saj në lojën e përjetshme të balancimit mes fuqive është si ai ushtari që sakrifikohet në tabelën imagjinare të shahut”, shkruan presidenti Makron.
Ajo që më ra në sy është çelja e kësaj letre duke sjellë në vëmendje ngjarje historike të bashkëpunimit.
“Jam i nderuar të vij në Serbi me ftesë të Presidentit Vuçiq, pas vizitës sime të parë pesë vjet më parë, me ambicien për të rilidhur një nga miqësitë e vjetra që u kalit në frontin e Luftës së Parë Botërore, me kujtimet ende të gjalla, nga fronti në Selanik”.
Për shembull, me francezët kemi bashkëpunuar edhe ne në Selanik, gjatë Luftës së Parë Botërore. Esad Pasha luftoi krah francezëve në Selanik dhe doli fitues. Pse nuk i përmend këto ngjarje historiografia jonë?
@NewsIn.Al

