Efekti Domino në Ministrinë e Financave.
Kohët e fundit vendin tonë e ka mbështjellë një dallgë ngjarjesh të bujshme. Kjo dallgë fillon me z.Ahmetaj. Para pak javësh u bënë publike disa fatura hoteli të ish ministrit. Ngjarja mori përmasat e një skandali kur personi që i kishte paguar këtij të fundit qëndrimin në hotel rezultoi të ishte Klodian Zoto, një nga të implikuarit në çështjen e inceneratorëve i shpallur në kërkim dhe gllabëruesi i miliona eurove për një incenerator fantazëm.
Në Komisionin Hetimor për çështjen e inceneratorëve ish-ministri u shpreh disa herë se nuk e njihte Klodian Zoton. E pamundur të besohet tani se këta dy individë nuk kanë patur njohje me njëri-tjetrin apo edhe se Zoto nuk ka përfituar nga ish ministri, aq më tepër kur ky ka qënë ministër në kohën kur janë firmosur dokumentat e inceneratorëve dhe Zoto përfitues në të njëjtën periudhë.
Ish-ministri prej kohësh është vënë në shënjestrën e disa mediave shqiptare. Është mirë kur mediat kërkojnë drejtësi dhe denoncojnë hapur abuzimet e politikanëve, por një pjesë e tyre vetëm pasi ka mbaruar punë me gjobëvënien mediatike dhe pazaret me ambiciozët brenda partive politike kujtohet të përgatisë kronika për abuzimet me paratë e shqiptarëve.
E megjithatë me apo pa sulmet e medias, gjasat janë që ish ministri ta ketë të vështirë të mohojë para drejtësisë lidhjen me Zoton apo edhe t’i shpëtojë ndonjë dosjeje të mundshme në SPAK.
Skandali i dytë përfshin një ish-drejtoreshë në kabinetin e atëhershëm të z.Ahmetaj me mijëra euro të padeklaruara. Paratë e padeklaruara janë ose të pista ose korrupsioni.
Skandali i tretë përfshin Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave të akuzuar dhe të arrestuar për shpërdorim detyre si dhe përfitues i miliona eurove me skema mashtrimi. Të gjithë këta individë i bashkon abuzimi me pushtetin brenda të njëjtit institucion, abuzime këto që tashmë kanë rënë në duart e SPAK.
Këmbanat e drejtësisë kanë filluar të bien edhe nga opozita. Thirrja e z.Mediu në SPAK për çështjen e Gërdecit nuk është pa domethënie e as strategji për të spostuar vëmendjen nga abuzimet e qeverisë.
Këtij populli të masakruar plot 32 vjet nga politika i duhet dhënë drejtësi. Shqipëria po tkurret çdo ditë e më shumë për faj të Aldave me shokë e shoqe që zgjedhin të pasurohen duke vjedhur të ardhmen dhe xhepat e mijëra të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi.
Drejtësia nuk duhet të tregojë mëshirë ndaj abuzuesëve, nga më i madhi e deri tek më i vogli. Askush nuk lind e nuk është i paprekshëm. Ndëshkimit nuk duhet t’i shpëtojë asnjë zyrtar i rangut të lartë apo të ulët, në pushtet apo në opozitë, i implikuar në afera para vitit 2013 apo pas, në të kundërt reforma në drejtësi që trumbetohet si arritje dështimin do e ketë të garantuar bashkë me shkatërrimin e vendit.
Emili Bibolli
@NewsIn.Al

