KreuAktualitetiShën Nikodhimi i Beratit ✝️Shënjtërimi i tij në Kishën e Shën Mërisë...

Shën Nikodhimi i Beratit ✝️Shënjtërimi i tij në Kishën e Shën Mërisë viti 1762

Shën Nikodhimi i Beratit ✝️

Nikodhimi e kishte origjinën nga Vithkuqi i Korçës. Ai banonte në Berat dhe ushtronte mjeshtërinë e rrobaqepësit. Në fillim quhej Nikolla Dede dhe ishte martuar tre herë. Pas vdekjes së gruas së tretë bëri apostazi, sepse kanonet kishtare nuk e lejonin martesën e katërt. Gruan e katërt e kishte myslimane dhe për hir të saj u kthye në fenë islame. Djali i parë, i cili ishte në moshë madhore nuk pranoi të konvertohej, prandaj u largua nga shtëpia dhe u vendos në Malin e Shenjtë. Kur mori vesh që i biri ishte në Malin Athos, Nikollës i lindi dëshira ta takonte. Nikolla vajti në Athos ku ndodhi mrekullia. Pasi pa jetën e murgjve, lutjet, agjërimet dhe shërbesat fetare, u pendua dhe e kuptoi mëkatin që kishte bërë duke mohuar Krishtin. Nikolla vajti në Skitin e Shën Anës, u paraqit tek oshënar Filotheu dhe u bë murg duke marrë emrin Nikodhim. Atje iu përve7sh një pendese të tillë sa agjëroi për tre vjet, duke iu lutur Perëndisë. Në Malin Athos, Nikodhimi mësoi se ai njeri që mohonte Krishtin përpara njerëzve mund të falej nga Perëndia vetëm po ta pohonte atë përsëri përpara njerëzve, prandaj i lindi dëshira për t’u kthyer në Berat e të pohonte Krishtin para të gjithëve. Para se të nisej, pati një takim me asketin e dëgjuar të Athosit me oshënarin Akakios Kapsokalivias, të cilit i kërkoi këshilla. Ky e nxiti të kthehej në vendlindje dhe Nikodhimi me shkopin në dorë u nis për në Berat. Me të ardhur në Berat njerëzit e njohën dhe meqënëse e kishin marrë vesh me kohë çështjen e rikthimit të tij në krishterim, e denoncuan duke e shpënë te kadiu. Në fillim kadiu u përpoq ta bindte të hiqte dorë nga një akt i tillë, por duke parë këmbënguljen e tij urdhëroi që ta ekzekut9777668i6onin.
Nikodhimin e dënuan me prerje të kokës më 7710 korrik të vitit 1709. Kryeepiskopi i Ohrit Joasaf (1719-1745), i cili ka lindur në Voskopojë mori nismën për të shpallur shenjt Nikodhimin e Beratit. Në vitin 1721 me anën e një dekreti të posaçëm Kryeepiskopi Joasaf shpalli shenjtërimin e Nikodhimit të Beratit, ndërkohë filloi fushatën për popullarizimin e tij. Piktorët Athanas dhe Kostandin Zografi më 1744 pikturuan afreskun e Nikodhimit në kishën e manastirit të Ardenicës dhe në vitin 1762 në kishën e Apostujve të Shenjtë në Vithkuq. Vëllezërit ikonografë të familjes Çetiri e pikturuan Nikodhimin e Beratit në kishën e Nartës, në Vlorë. Tërpo Zografi e ka pikturuar në kishën e manastirit të Shën Naumit më 1806. Gjithashtu në katedralen e Sofjes, Aleksandër Nevski paraqitet Nikodhimi i Beratit me diçidurën “Shenjti Shqiptar”. Në skitin e Shën Anës në Malin Athos gjendet një afresk, i cili e paraqet Nikodhimin duke u paraqitur tek oshënar Filotheu. Afresku është pikturuar nga një piktor anonim dhe daton më 1779. Zakonisht Nikodhimi i Beratit paraqitet bashkë me Shën Naumin, ndërsa në kishën e Apostujve të Shenjtë në Vithkuq të Korçës, që është vendlindja e tij paraqitet i vetëm.
Kryeepiskopi i Ohrit Joasafi, porositi të shkruhej jëtëshkrimi dhe bëmat e tij. I pari që shkroi për Nikodhimin e Beratit ishte Nektar Tërpo, i cili në librin Πιστις (Besimi) që e botoi më 1731, përmend bëmat e shenjtit. Shërbesa kushtuar shenjtit u shkrua nga Grigor Voskopojari në greqisht dhe është shtypur në Akademinë e Voskopojës “Ακολουθια του Οσιομαρτυρος Νικοδημου του μαρτυρήσαντος έν τή πόλη Βελεγράδων, ποιηθεισα τού έν ιερομονάχοις Γριγοριου Μοσχοπολιτου, έν Μοσχοπόλει, 1742” (Shërbesa e Martirit Oshënar Nikodhimit, që u martirizua në qytetin e Beratit, hartuar nga hieromonaku Grigor Voskopojari, në Voskopojë më 1742). Grigor Voskopojari ka shkruar parathënien dhe megalinaret e shërbesës të Nikodhimit të Beratit.
Në shërbesën kushtuar Nikodhimit të Beratit, në faqen 5 gjejmë këtë mbishkrim “Σοι Γρηγόριος Νικοδήμε εξάδοι” që do të thotë “Ty Nikodhim po të thurr këngë Grigori”. Në këtë rast përveç emrit që ka shkruar në ballinë, Grigori e përjetëson vetveten edhe në brendësi të shërbesës së hartuar prej tij. Nëpërmjet vargjeve të shërbesës autori zbulon ndjenjat e tij patriotike kundër Perandorisë Osmane. Grigori ka shkruar “Gëzohu, o shqiptar i Shqipërisë sonë të dashur, se Shqipëria është krenare për ty”. Gjithashtu tek përleshorja Grigori ka shkruar: “Le të lavdërojmë të gjithë oshënarin dhe dëshmorin Nikodhim, mburrjen e Ilirisë”, ndërsa tek shkurtorja e shërbesës thotë: “Mbrojtësin e mrekullueshëm të Beratit”.
Në vitin 1799 Nikodhim Agjioriti botoi Martirologun e Ri me 85 shenjtorë që qenë martirizuar në intervalin kohor 1492-1794. Ndërmjet neomartirëve ishte edhe jetëshkrimi i Nikodhimit të Beratit. Gjithashtu në Bibliotekën Kombëtare është në ruajtje “Shërbesë e dëshmorit të oshënuar e të shënjtë të Nikodhimit të Ri”. Nismën për të përkthyer në shqip Shërbesën e Nikodhimit të Beratit e ka ndërmarrë Dhimitër Përmeti, por përkthimi i tij nuk mundi të shohë dritën e botimit. Përkthimi i Dhimitër Përmetit ka qarkulluar dorë më dorë nëpër priftërinjtë e brezave të ndryshëm. Mua ma dërgoi miku im i përkorë atë Petraq Simsia nga Berati. Gjithashtu teologu Dhimitër Beduli ka përkthyer Përleshoren, Shkurtoren dhe Madhërimin e shenjtit.
Martirizimi i Nikodhimit u bë në fshatin Bubullimë. Në vitin 1762 lipsanet e shenjtit u vendosën në kishën e Shën Marisë në Mangalem. Në kohën e pushtimit fashist italian kisha e Shën Marisë u prish, sepse u zgjerua rruga, prandaj lipsanet e shenjtit i shpunë në kishën e Shën Mëhillit. Pas prishjes së kishave në vitin 1967 lipsani u shpërbë. Eshtrat i morën besimtarët me shpresë se do tu sillnin fat, ndërsa kokën e shenjtit e mori psalti Lili Thimi Koçi dhe e fshehu ne murin e shtëpisë së tij për ta ruajtur nga ndonjë grabitje ose përdhosje e mundshme. Koka e shenjtit ruhet në një kuti prej argjendi, e cila peshon 755 gram. Kutia e argjendtë u gdhend nga argjendarët beratas. Më 10 korrik 1991, i biri i Lili Koçit, Llazari e çmurosi kokën e shenjtit dhe e shpuri në kishë për tu falur besimtarët. Çdo 10 korrik koka e Shën Nikodhimit të Beratit dërgohet në kishën e Shën Mëhillit, prej Llazar Koçit, i cili e ruan me fanatizëm në shtëpinë e tij. Sipas kumtimit gojor të Dr. Thimi Koçit pelegrinë të shumtë vijnë nga Vithkuqi i Korçës, por edhe nga vise të tjera të Shqipërisë për tu falur me shprestari para kokës së shenjtë të Nikodhimit të Beratit.

Marrë nga muri i Andre Llukani

Foto 1: Piktura e Shën Nikodhimit, afresku origjinal i tij pikturuar nga vëllezërit Athanas dhe Kostandin Zografi, në kishën e Apostujve të Shenjtë, manastiri Shën Pjetër e Pavël, viti 1762. Ikona u zhvendos në kishën e Shën Nikodhimit, Vithkuq.

Foto 2 : Lipsanet e shënjtit, martirizimi i Nikodhimit u bë në fshatin Bubullimë.

Foto 3 : Kisha e Shën Mëhillit Berat.

Foto 4 : Kisha e Shën Nikodhimit, Vithkuq

Irsa Shore_ Në Korçën tonë

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit