FURRA E VDEKJES DIKUR DHE NEFAILI NGA SYMIZI
Nxjerrë nga materiali në punë e sipër:
“Bota ime e djeshme.
Korça ashtu si e jetova unë”
(Kujtime, ngjarje, përshtypje, mbresa, mendime, skica, etj.)
F u r r a e V d e k j e s d i k u r
Në vitet 1945 – 1949, Gulagu i Korçës, njësoj sipas modelit të Stalinit, njësoj si edhe i përshkruan Varlaam Shallamov kampet e Kolimas, në skajet e Siberisë, ka qënë këneta e Maliqit, tharja e saj. Kam parë foto të dënuarsh, për të dy rastet dhe nuk kam mundur të gjej as ndryshimin më të vogël. Të dënuarit prej komunizmit, armiqtë e tij, të deklasuarit, të përndjekurit politikë, të përndjekurit për pasuri ose si quheshin borgjezët, një shtresë pra e gjërë e tillë që, përbëhej prej qytetarë, familje të njohura, të vjetra, të ditur, intelektualë, të studiuar në universite nga më të dëgjuarat, tregtarë, inxhinierë, mjekë, etj, që për komunizmin përbënin klasën që duhej rrëzuar, duhej dërrmuar, për të krijuar botën e re të punëtorëve dhe fshatarëve, botën e kominosheve; përzierë këta me të tjerë armiq që për një apo një tjetër arsye, kishin kundërshtuar komunizmin por që ishin analfabetë, të varfër, katundarë apo edhe injorantë prej qyteti që, goja u kish folur para mendjes, madje edhe hajdutë e kusarë, e gjithë kjo masë pra zhytur në blatërat dhe ujërat e kënetës, punonin si qenër, të dënuar për ta tharë atë. Nuk dua të tregoj, krimet, tmerret, torturat, vrasjet që kam lexuar e kam dëgjuar, se kanë ndodhur aty, as historinë e pushkatimit të kushëririt tim të dytë, inxhinierit Vaso Mano mbaruar në Zvicër, me nënë Ballauri si dhe të Zyrakës gruas së tij, me foshnjë në bark, aq të njohur; nuk dua të tregoj ngjarje të dhimbshme, të shëmtuara, diabolike të cilat tek tuk por, jo sa duhet, mund të gjenden në shkrime të ndryshme.
Dua të them se im’atë Vasili, ishte me fat që, për një qime, siç edhe thuhet në Korçë, i shpëtoi Gulagut të kënetës së Maliqit dhe ndërkohë, një pjesë si ai që, mbetën jashtë, u dënuan dhe u përndoqën në një formë tjetër dhe ajo shumë e rëndë, duke ngjitur edhe ata Golgothanë e tyre.
U lanë jashtë burgut dhe Maliqit por, pa punë dhe pa bukë, të pështyrë, të poshtëruar, me damkën a vulën e të padëshiruarit, të dyshimtit, të fëlliqurit, të armikut, të përbuzur dhe tallur, padinjitet përpara turmave, damkë që nuk ua qepnin në krah, por ua qepnin në mbiemër, në ballë, atyre dhe fëmijëve të tyre, një shënjim i zi ky, një frikë, një ankth dhe një makth, një shkatërim që i ndiqte nga pas kudo, kudo.
Bota për ta ishte e huaj, jeta pa vlerë, pa kuptim.
Ata të tërhequr, të tmerruar, i fshiheshin të përditëshmes, syulur, hije të vetmuara, jetonin vetëm se nuk kishin forcë të vetëvriteshin.
Ato vite kaosi, veç persekutimeve dhe ndryshimeve absurde që koha tregoi se ishin paranoja të çmëndurish, e pra ato vite, u shoqëruan edhe me mungesën e ushqimeve, me kriza të shummëllojta, buka jepej me të quajturat triska, por jo për të deklasuarit.
Për gjithë këtë shtresë të poshtëruar, në gjithë Korçën, nuk kish triska buke por ekzistonte vetëm një furrë buke, me një emër të tmerrshëm të nxjerrë nga populli, “Furra e Vdekjes”. Kjo ishte në një lagje të varfër të qytetit, me sa di unë, diku pasi kalohej pazari i peshkut dhe dilej për nga Radaneci, në afërsi të depos ku para 40 – 50 vjetësh, ishte pazari i gëlqeres.
Në Furrën e Vdekjes, shitej vetëm bukë misri, e thatë, në një sasi tepër të kufizuar, vetëm për një çast në 24 orë, ku turmat e të mjerëve, dergjeshin natën dhe ditën në radhë, nga një anë burrat dhe nga ana tjetër gratë. Rrinin aty, gdhiheshin dhe ngryseshin, prisnin e prisnin, pa e ditur çastin e shitjes, e ardhjes së misërnikes dhe, kur ai çast vinte dhe buka e thatë plot krunde misri do të shitej, radhët dhe logjika përpara urisë së fëmijëve harroheshin, turmat shtyheshin, shtypeshin, shqyheshin, bërtsnin, qanin, vriteshin dhe vdisnin aty, për të blerë një copë bukë misri, … për një copë misërnike.
Shitja, bëhej në një frëngji të një muri të lartë dhe të fortë, ku prapa tij në një ambient që vetëm furrë nuk ish, ndodhej buka e misrit, në një frëngji që, përpara kish horizontalisht një hekur të mprehtë. Kundrejt një kështjelle të tillë pra, turma nga jashtë shtyhej e vritej për të arritur frëngjinë e mallkuar, po qe se do të mundte dot ta arrinte, për të blerë një copë bukë misri, … për një copë misërnike.
Këto që po them, mi ka treguar e ndjera nëna ime.
Në ato kohë im’atë dergjej i sëmurë prej proçesit pulmonar, villte gjak në shtrat dhe, në një gjendje të tillë të mjeruar e i pa aftë, ishte nëna, Ollga trime që shkonte e shtyhej të blinte, me aq sa mundej dhe kur mundej, një copë misërnike në Furrën e vdekjes.
Sesi e jetonin këta njerëz një jetë të tillë, ata dhe shpirti i tyre e dinte.
Më tregonte nëna vazhdimisht tek rritesha sesi në një rast të tillë, turma e shtyu dhe e ngjeshi tek hekuri i mprehtë i frëngjisë që, si thikë në grykë po i merrte frymën dhe, “sa nuk dhashë shpirt aty, në furra ku kishin vdekur edhe të tjerë, për një copë bukë misri … për një copë bukë misri të thatë – tregonte e gjora mes lotësh dhe thesh, – ishte një evgjit i bekuar, si i dërguar prej Zotit, që më tërhoqi dhe shmanga tej, hekurin diabolik, prej atij sot jam e gjallë dhe nuk i lashë, fëmijët rrugëve …”
* * *
Shënim: Më duhet të them se nga shtresa evgjitërve në këtë kohë kish shumë njerëz të ndershëm që dikur shërbenin tek familjet e pasura të qytetit tonë dhe në ditët e vështira, u qëndruan besnikë këtyre familjeve, duke u shërbyer përsëri me devotshmëri, me ndershmëri, në shënjë mirënjohjeje, një lloj paralele kjo, me “Gone with the wind” të Margaret Mitchell.
Mundet që rasti i nënës time, që sjell më sipër, të ketë qënë një rast i tillë. Evgjiti në fjalë shtyhej, për ish bamirësit e tij të dikurshëm. Gjithashtu, kish mjaft ish-shërbëtorë në atë kohë që, u shërbenin familjeve të pasura edhe duke këmbyer për këta në fshehtësi, lira dhe duke ua kthyer me ndershmëri vlerën përkatëse. Një shërbim ky tepër i rrezikshëm, nën çizmet e diktaturës së kuqe kur kjo, ish sulur si hiena mbi klasën që kish përmbysur, për t’i pirë kësaj gjakun, për t’i rrëmbyer asaj gjithçka, por mbi të gjitha arin. Shumë prej tyre të cilët dikur, nuk kishin parë ndonjëherë monedhë lire me sy, në këtë kohë u pasuruan, për të jetuar pastaj të pasur, ata dhe fëmijët e tyre, mbi gjysmë shekulli. Ndërtohej pra shoqëria “e re”. “Homo homini lupus est”
N e f a i l i n g a S y m i z i
Veç sa më sipër në ato vite, shtëpia jonë ishte bërë qendër mësymjesh dhe sekuestrimesh. Si ish-tregëtar Vasili, im’atë, ishte vazhdimisht nën vëzhgim, jo vetëm për sjelljen e tij politike por, edhe për lirat që mund të kish, orenditë, sendet dhe gjënë e mallin e shtëpisë e sidomos, për manifaturën e dyqanit të tij të dikurshëm i cili, ishte konfiskuar e rrëmbyer më parë por që mendjet e djallëzuara mendonin se ai mund të kish fshehur diçka në shtëpi.
Punonjës të komitetit në ato kohë, mësymnin papritur, duke kallur tmerr, në mes të natës, duke u gdhirë, me të trokitura të forta të portës që të mbetej zemra, me çizme, brutalë, të ashpër, të hakërryer dhe i ngrinnin prindërit e mi nga gjumi, nga shtrati, të cilët të tmerruar, të mohuar, qëndronin me kokë nga muri, më këmbë, në një qoshe dhe ndërkohë bëhej kontroll dhe kthehej përbys e gjithë shtëpia. Gjithçka bëhej në një formë tepër poshtëronjëse, tepër përbuzëse si të kishin përpara jo njerëz por qenër, jo familje dhe fëmijë, por, … ç’të them nuk gjej dot krahasim edhe me kafshët, është mëkat një sjellje e tillë. Dhe iknin pastaj me rrëmbim, duke lënë pas rrëmujë, kaos, gjithçka përmbys, plot shikime kërcënuese, dhëmbë të shtrënguara, duke lënë zhurmat e përplasjes së çizmave, një furtunë të zezë, të kobshme, vdekjelajmëruese. Të gjorët prindër të mij që tani që shkruaj, më mbushen sytë me lot për ta. Si ikte tagma e inkuizicionit të kuq, shikonin njëri tjetrin, të mekur, të zbehtë, të verdhë dyllë, duke u dridhur dhe hidheshin në krahët e njëri tjetrit duke qarë me dënesë dhe në këmbët e tyre pataj suleshin dy fëmijë, vëllezërit e mij më të mëdhenj, qante e derdhte lot një familje, një familje që nuk i kish bërë keq askujt dhe ngrinin sytë drejt qiellit, tek i vetmi dëshmitar, tek i vetmi shpëtimtar, tek Zoti.
Jam rritur me rrëfimet në familje të këtyre skenave. Ato janë një angushtim në grykë dhe në shpirt për mua, sa herë i kujtoj. Me to, kujtoj tim’atë që nuk arrita ta njoh e ta kuptoj, kujtoj nënën që buzëdredhur, mbushej me lot tek m’i tregonte, e m’i tregonte dhe që me të edhe unë mbushesha, gati për t’u shkrehur në lot. Me të tilla kujtime dhe shumë të tjera që, i kam ndjerë dhe që, nuk kam vite, kohë që të mund t’i tregoj, është e mbushur fëmijëria ime. Netët e atyre viteve për familjen, tonë ishin një Golgotha, një torturë, një vdekje së gjalli.
Ndërkaq në një natë të tillë të vitit 1947, ndaj të gdhirë, trokiti përsëri porta.
Të trembur prindërit e mi, u hodhën përpjetë. Trokitja nuk qe e fortë, as e frikshme madje të mijtë të mësuar, kuptuan se ndoshta nuk mund të ish policia, komiteti ose mund të ishin ata dhe kishin erdhur, në një formë mashtruese. “Për një çast, mbetëm shikonim njëri tjetrin” më tregonte, e mjera nënë. Trokitja e qetë vazhdonte të përsëritej me këmbëngulje. “Dil Ollgë shiko ti, kam frikë se mos kanë erdhur për të më hedhur hekurat” i tha i gjori baba, “me ty ndoshta nuk do të sillen dhe aq të poshtër”.
Kur doli nëna tek porta shikon Nefailin nga Symizi, një fshatar i njohur i familjes sonë. Ai në errësirë, mbante në kurriz një thes. Nefaili ishte edhe më i madh se im’atë, në kohët e shkuara, ishte gjysmatar, punonte në vreshtat e babajt, në Porodinë. “Ollgë, – i tha, – i kam dëgjuar të gjitha, di gjithçka, erdha nga Symizi dhe kam sjellë për ju, një thes me miell misri, e di që po vuani për bukë, Vasilin e kam dashur dhe e dua si vëlla, kini fëmijë, pranojeni këtë thes dhe shtyni sa të shtyni, këto kohë …” Nëna mbeti dhe për çastin i tha se nuk di si të bëj, të pyes brenda Vasilin. Hyri dhe i thotë babait se ka erdhur Nefaili me një thes miell. Si të bënin? Ta pranonin? Sikur të nesërmen të vinin kontroll dhe ta gjenin thesin që në atë kohë, ishte njësoj si të të gjenin armë, si të bënin?
Uria, skenat e Furrës së Vdekjes, fëmijët, vuajtjet e përditshme, mushkëritë e shkatëruara, gjakrat e vjella shamive, na mposhtën, morëm guxim e kurajo dhe e futëm thesin e miellit të misrit në shtëpi, me tregonte nëna dhe, e mbyllte këtë histori e thesh se, atë që bëri Nefaili në atë kohë edhe të afërmit nuk e bënë dhe jo kaq, por ata u larguan e na kthyen kurrizin. Ndoshta edhe mund të kishin njëfarë të drejte. Në ato kohë, të hyje të dilje në shtëpinë e një tregtari si kish qënë im’atë, lije përshtypjen se edhe ti ishe si ai, ose së bashku me të, diçka po gatuaje kundër pushtetit të popullit.

I.V.B. © Copyright
@NewsIn.Al
