Gjashtë vrasje janë zbardhur nga policia dhe prokuroria pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka nxjerrë emrat e vrasësve të pagesë që kanë kryer ekzekutime për llogari të grupit të Laert Haxhiut.
Vrasjet kanë ndodhur në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.
Vrasja e Artur Breshës në Tepelenë, 4 Dhjetor 2019
Artur Bresha 47 vjeç u ekzekutua me armë mbrëmjen e 4 dhjetorit 2019 në një kantier ndërtimi në Tepelenë ku ai punonte si roje. Pasi vranë 47-vjeçarin, autorët shkuan edhe pranë banesës së viktimës ku gjetën në rrugë vëllain e të ndjerit, një 43-vjeçar, dhe e qëlluan me armë në këmbë duke e lënë të plagosur.
Vrasja e Alban Semakut në Peqin, 17 Tetor 2021
Alban Semaku, i njohur edhe si “kinezi”, u gjet i vrarë me armë më 17 retor 2021 pranë Lumit Shkumbin në Peqin (Qarku Elbasan).
Ai përdorte edhe emrin Elton Mermali. 38-vjeçari ka qenë anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale.
Si u vra Alban Semaku
Në emisionin “Në Shënjestër” është zbuluar se ai kishte kohë që ishte tërhequr në vetminë e tij. Dikur, një ushtar besnik i bandës së Aldo Bares, tanimë ai kishte konsideruar shkëputjen nga bota e jashtme, ashtu sikurse natën para se të zhdukej, ku takimi i tij i fundit do të ishte me nënën e tij, së cilës i tha se do të shkonte deri te lulishtja dhe se do të kthehej së shpejti ndërsa ajo e shoqëronte deri te dera.
Ishte ora 7:00 e mbrëmjes, por ai nuk u kthye më kurrë në banesë, as atë natë të 6 tetorit 2021, as në vazhdim.
Kjo pasi trupi i tij u gjet vetëm të nesërmen e zhdukjes anës lumit Shkumbin, shumë larg qytetit të banimit, apo me gjasa edhe vendit të ekzekutimit. Ndërsa errësira e natës dhe era që shoqëronte atë mbrëmje tetori, fshiu me vete si hije edhe vrasësit.
Po kush e vrau Elton Mermalin që tanimë mbante emrin Alban Semaku, ushtarin e Bandës së Lushnjës, të fundmin viktimë të ushtrisë të shpartalluar të Aldo Bares, kreut të organizatës famëkeqe kriminale, që tashmë nga qelia po shikonte se si po i ekzekutoheshin një e nga një të gjithë ushtarët e tij të mbetur jashtë hekurave të burgut?
Elton Mermali kishte kohë që dilte shumë pak nga shtëpia. Në mos, për të thënë shumë rrallë.
Nuk dihet nëse kjo ishte një frikë që e shoqëronte kudo, apo e shkuara e errët kishte lënë në koshiencën e tij gjurmët e veta. Ajo që dihet ishte se kohët e fundit para se të vritej ai ishte bërë shumë i heshtur, ku pothuajse nuk fliste me askënd. Ashtu i heshtur doli edhe atë mbrëmje nga shtëpia e tij në Lushnje.
Të vetmet fjalë që i shqiptoi nënës së tij, teksa kalonte pragun e banesës, ishte “t’i përgatiste darkën, pasi do të kthehej shpejt”. Nëna e tij e priti deri në mëngjes.
Të nesërmen e zhdukjes së tij të beftë, një trup i pajetë, i qëlluar me një plumb pas koke dhe dy pas shpine, u gjet me kurriz të kthyer në anë të lumit Shkumbin. Banorët thanë për policinë se viktima nuk ishte nga anët e tyre, çka rriti dyshimin te autoritetet policore, se vrasja ishte kryer gjetiu. Por shpejt, çdo dilemë mbi identitetin e kufomës do të fashitej.
Trupi i shoshitur nga plumbat në anë të lumit do të rezultonte të ishte pikërisht i Elton Mermalit.
Do të ishte nëna e tij, që do të njihte trupin e të birit në morgun e spitalit të Elbasanit.
38-vjeçarit nga Lushnja, por që jetën pas lirimit nga burgu e shkonte i veçuar. Një personazh problematik i botës së krimit, i cili më herët kishte vuajtur 13 vite heqje lirie, në akuzën për vrasje që dikur kishte qenë anëtar i bandës së Lushnjës, të drejtuar nga Aldo Bare.
Vrasja e tij, që riktheu në skenë eliminimet e përgjakshme që tashmë ishin ndërmarrë nga rivalët, të cilët pas një kohë të gjatë në heshtje, ishin riaktivizuar edhe më të fuqishëm, për të marrë hak për të afërmit e tyre të eliminuar nga banda e Aldo Bares.
Bandë që e kishte nisur aktivitetin e saj në vitin e zi të 1997-ës dhe që kishte prodhuar me kalimin e viteve kundërshtarë dhe viktima të panumërta në radhët e të dyja palëve.
Më i fundit, Elton Mermali me emrin e ndryshuar Alban Semaku, i cili u identifikua në morgun e qytetit të Elbasanit, nga nëna e tij.
Por përse Laert Haxhiu dyshohet se ekzekutoi Elton Mermalin?
Që jo vetëm kishte qenë ushtari i bindur i Aldo Bares, por kishte ndarë edhe të njëjtin burg në Peqin me shefin e tij të dikurshëm. Për të ndriçuar sadopak vrasjen e Mermalit, grupit hetues, në këtë rast i erdhi në ndihmë dëshmia e një të penduari të drejtësisë, Petrit Liçi, i cili, rrefeu se si në vitin 1998, Elton Mermali, mori pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut, të afërmit të Laert Haxhiut, të cilin pasi e ekzekutuan në pritë, e shpërfytyruan duke i derdhur dhjetëra plumba, mbi trupin e pajetë.
Petrit Liçi, i penduar i drejtësisë
“Në tetor të vitit 1998 isha në shtëpi, duke punuar. Po prisja blloqe betoni. Në këtë moment vjen Erjon Kashari me të cilin kam qenë në shkollë dhe e njihja mirë. Erjoni ka ardhur disa herë me Elton Mermalin. Ata më propozuan të shërbenim si roje në shtëpinë e Edjan Xhafës, i cili ishte i plagosur dhe ishte në hasmëri. Unë nuk e dija se si kishin qenë punët, por pranova të ruaja shtëpinë e tij ditë-natë, bashkë me Mermalin dhe Kasharin. Ai e kishte shtëpinë pranë kodrës së Lushnjës, të rrethuar si kështjellë. Pasi qëndruam disa ditë, Edjani na kërkoi ta ndihmonim të bënte një vrasje. Edjani donte të vriste Bledar Haxhiun, por ai ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte shumë para po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. Ne e pritëm Bledar Haxhiun disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë dhe na dha një çantë me katër automatikë.
Në datën 23 tetor, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Në këtë moment unë ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit”.(Korrieri)
@NewsIn.Al

