Grida Duma dhe Ervin Salianji, një nga çiftet më të komentuara të vitit të shkuar, nuk janë më bashkë. Vip Magazine konfirmon se ata i kanë dhënë fund historisë që bëri zhurmë në mediat rozë dhe jo vetëm, ndërsa tashmë të dy janë sërish single.
Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar dyshen drejt këtij vendimi, sidomos pasi pas daljes nga burgu të Salianjit, ata i dedikuan njëri-tjetrit deklarata publike me nota dashurie dhe vlerësimi.
Krisja në sytë e publikut u vu re qartë pas nismës së Salianjit për të nisur një lëvizje brenda Partisë Demokratike, për të cilën u përfol se pas saj qëndronte Grida Duma.
Një muaj më parë, në emisionin “Top Story”, Grida i dedikoi një analizë kësaj lëvizjeje, duke u distancuar qartazi dhe madje nuk kurseu as qëndrimin e saj kritik. “PD duhet të zhdukë foltoret 2.0 dhe të gjejë mënyrën për të qenë e bashkuar”, theksoi ajo, duke dalë publikisht kundër foltores së Salianjit.
Edhe pse fillimisht kjo u pa si një taktikë për të mos përfshirë emrin e saj në lëvizjen e demokratit, nuk vonoi shumë dhe Grida e hoqi Salianjin nga lista e personave që ndiqte në Instagram.
Së fundmi, në podcastin e saj të fundit, ajo i shtoi edhe më shumë zërat për ndarje, duke deklaruar përballë Bora Zemanit se vitin e shkuar kishte “lëshuar njerëz”, çka u interpretua si një referencë e drejtpërdrejtë për Salianjin.
Pas kësaj deklarate, edhe Salianji ka vendosur ta heqë Grida Dumën nga lista e personave që ndjek. Të dy kanë marrë drejtime të ndryshme, duke lënë pas krahëve historinë e tyre disa-vjeçare të dashurisë.(Tirana news)
NewsIn. Al
