“Gurët janë mësues të heshtur, ata qetësojnë atë që i vrojton, prej tyre mësojmë tiparin më me vlerë, – qetësinë” – Johann Wolfgang von Goethe.
—
Një nga lëndët e mia të preferuara në fak. e bujqësisë, ka qënë pedologjia ose shkenca e tokës bujqësore dhe sidomos disa kapituj në të, të petrografisë, shkencës që studion dhe përshkruan shkëmbinjtë dhe gurët (gjë që më vlejti së tepërmi, gjatë disa viteve të mia të punës, në rrethin e Librazhdit në vitet ‘70).
Gjithmonë më kanë joshur kudo që kam shkuar, muzetë e natyrës dhe veçanërisht tek ato, sektorët me koleksionet e gurëve (petrografisë) dhe të fosilieve, madje hera herës lexoj kur mund, diçka për gurët.
Së fundi, më duhet të përmend se edhe në Korçë, në shkollën e viteve 1850, ka patur dikur një ambient me guacka fosilie të ekspozuara, të grumbulluara këto, në vargmalet e Moravës.
—
Johann Wolfgang von Goethe, ishte një koleksionit i zjarrtë i mbledhjes së llojeve të ndryshme të gurëve dhe të ekzemplarëve të veçantë, paleoontologjike dhe gjeologjike. Prej viteve 1780 deri më 1832 ai grumbulloi, këmbeu dhe bleu më tepër se 18 mijë lloje gurësh, mineralesh dhe fosiliesh. Këto të fundit pra fosiliet në numër 718 lloje, janë grumbullime të kuaternarit për krahinën e Weimarit e rrethinat dhe pastaj mes tyre 100 lloje, janë fosilie bimësh dhe kafshësh të cilat ekspozohen në muzeum, si objekte tepër të vlefshme.
Ndërkaq theksohet se Goethe u muar gjithë jetën me vrojtime, hulumtime dhe la shkrime petrografike por shkencëtarët e sotëm që studiojnë këto kërkime të tij, në pjesën më të madhe bien dakord se nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë.
Ja një rast kur edhe mëndjet e ndritura bien jashtë së vërtetës.
Megjithatë pavarësisht nga kjo, koleksionet e tij të gurëve dhe fosilieve vlerësohen dhe admirohen në mënyrë të veçantë.
—
Çdo gur ka historinë e vet … Luciani
Çdo gur ka një jetë. Edhe gurët që qëndrojnë në një fushë, apo në bregdet, nguliten e ngurtësohen në kujtesën e vendit ku janë … Andy Goldsworthy
Ai që zakonisht udhëton maleve, e bën zakon të mbledhë gurë … Konfuci
—
Ilustrimi: Një fosilie me një dhëmb dreri të ngurtësuar në të, e grumbulluar prej Goethe.
Literatura e përdorur për përpilimin e këtyre rreshtave:
D. Bressan, History of geology, “Dr. Faust and his Fossil Collection” 2011
E. Ham, “Goethe’s morphology of stones: Between natural history and historical geology”
M. Yourcenar: Inrtrd. tek R. Caillois, “The writing of stones” 1985
—
Ilia V. Ballauri ©
@NewsIn.Al

