HomeAktualitetiHumbi garën për kreun e SPAK, Adnan Xholi dorëzon kandidaturën për Prokuror...

Humbi garën për kreun e SPAK, Adnan Xholi dorëzon kandidaturën për Prokuror të Përgjithshëm

Prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi, ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që mbahet aktualisht nga Olsian Çela, duke u bërë kandidati i parë që hyn në garën për drejtimin e institucionit të akuzës.

Procesi i përzgjedhjes zhvillohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili ka hapur procedurën për zgjedhjen e pasuesit të Prokurorit të Përgjithshëm. Me depozitimin e dokumentacionit, Xholi është kandidati i parë që formalizon pjesëmarrjen në këtë proces.

Adnan Xholi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Ai ka ushtruar funksione në Prokurorinë për Krime të Rënda, më pas në Prokurorinë e Përgjithshme dhe aktualisht është prokuror në SPAK. Gjatë karrierës së tij ka hetuar dosje të rëndësishme që lidhen me krimin e organizuar, trafikun ndërkombëtar të drogës dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Kjo nuk është hera e parë që Xholi kandidon për një post drejtues. Në vitin 2022 ai ishte një nga kandidatët për drejtimin e SPAK-ut, garë që u fitua nga Altin Dumani, ndërkohë që ishte pjesë e garës, edhe përballë Klodian Brahos, kreut aktual.

Pranimi i kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm mbetet i hapur edhe për prokurorë të tjerë që plotësojnë kriteret ligjore, ndërsa në përfundim të procedurës KLP do t’i paraqesë Kuvendit emrat e kandidatëve të kualifikuar për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës.

 

@NewsIn.Al

NewsIn Al
NewsIn Alhttps://newsin.al
NewsIn Al është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments