GJUHA, KOCKA S’ KA E KOCKA THYEN
U rrokullis midis dhëmbësh, u përplas kërcënueshëm midis tyre, rrodhi përvuajtshëm buzëve, por ajo që i dha shtytjen e fundit, që e vërtiti sa deshi e ku deshi, që e latoi hileshëm, që e nxiti kërcënueshëm, që e flaku pakujdesshëm…, ishte gjuha… . E shkreta fjalë, u gjend e hutuar, e papërgatitur, vetëm, e pambrojtur dhe shkoi e u përplas hidhshëm diku, ku mundi, ku deshi, kujt iu shfaq përpara e kujt nuk kishte guxuar t’ i tregonte asaj veçse supet… .
E gjora fjalë, aq shumë i besoi gjuhës dhe butësisë së saj, lagështisë së rrëshqitshme të saj… . Kishin jetë që luanin me njëra- tjetrën, po aq jetë që i besonin njëra- tjetrës, aq sa nuk i bëhej të kujtonte edhe rastet e tradhëtisë së gjuhës (nuk ishin të rralla, në fakt).
… dhe prapë, e njëjta histori… . Të zëna me njëra- tjetrën, të gënjyera nga dukja e njëra- tjetrës, secila punonte sipas mënyrës së vet. Gjuha atë punë kishte, veçanërisht kur fjala, e hutuar pas lojës, kishte shkëputur lidhjen me mendjen, një shtyrje fare e lehtë dhe ajo binte plumb, mbi njerëz, fate, jetë. I dërmonte, u thyente kocka, eshtra, lëndonte trupa, rrënonte shpirtra. Iku, mbeti e u bë… . Kishte raste, shumë raste, kur edhe fjala vetë ndiente dhimbjen që kishte shkaktuar. Do donte të mos e kishte bërë kurrë këtë që bëri, por fati i keq i saj, nuk zhbënte dot gjë. Rruga e saj ishte tashmë e përcaktuar, nuk mund të kthehej dot mbrapa. Po edhe sikur ta bënte, porta e daljes ishte mbyllur me kangjella kockorë, për të mos u hapur më në kthim. Fuqia e fjalës ishte shkatërruar, ishte rrënuar, mbetur ngatërruar diku në rrënoja eshtrash.
Ishte një pësim që fjalës i mësonte diçka. Fillonte që prej asaj dite, të ishte më e kujdesshme, i hidhte spirancat e sigurisë në mendje, që, sido të vinte puna, të kishte një vend ku të mbahej.
Po edhe gjuha bëhej më e përmbajtur. “I administronte” më me produktivitet energjitë e saj. Strukej pas dhëmbësh e i kursente vetes lëvizjet e tepërta. Madje, ndonjëherë, e shtrëngonte ajo fjalën që të rrinte aty ku ishte e të mos ndihej… . E ja, kështu, me paqe të përkohshme, herë- herë të sipërfaqshme, shumë herë të shtirur e në shumë herë të tjera të sinqertë, vazhdonin bashkëjetesën e tyre. Po nuk është vetëm paqja e përkohshme arsyeja që ato vazhdojnë të jetojnë akoma bashkë. Jo! &j&
Ato nuk janë bashkë vetëm se mundet “të durohen” me njëra- tjetrën. Ato dashurohen! Po, po, ato dashurohen dhe fort madje! Këto janë kohët më të bukura, më të ëmbla, më me fantazi. Loja e tyre rrjedh në lumenj të ëmbël, në erëra të ngrohta, në freski lartësish, në rrahje valësh brigjeve të mendimit. Dhe atëhere, më shumë se kurrë, fjala ka nevojë për mbështetjen e gjuhës, për forcën e saj, për nxitjen, vendosmërinë e saj. Prehur në brigjet e mendimit, freskuar prej thellësive e mbushur ajër prej lartësive, fjalës nuk i bëhet të lëvizë, të ndërrojë vend. Është gjuha ajo që e vë në lëvizje, që e ndihmon të thyejë kangjellat e para të dhëmbëve- eshtra.
Ndalesa e parë e fjalës…, te një shpirt i ngurtësuar. I zënë rob prej eshtrash gatuar me dhimbje… pandjeshmëri… zor se mund të kishte mundësinë dhe rastin të preket së jashtmi. Po është fjala që me forcën që i ka falur gjuha, arrin të thërrmojë dhimbjen e ngurtësuar. E atëhere bëhen bashkë një shpirt, një fjalë kapur fort pas brigjeve të mendimit, e aftë për të përballuar thellësitë e tij dhe erërat e forta të lartësive ku ky i dërgon së bashku.
Këtu, këtu qendron arsyeja më e fortë që ato mbeten gjithmonë bashkë. Këtu qendron sekreti që ato vazhdimisht i falin ndonjë tradhëti të vockël njëra- tjetrës. Po këtu qendron edhe arsyeja absurde e të gëlltiturit të tradhëtive të mëdha, e pasigurive dhe pabesive të herëpashershme.
Dhe tani, pasi i dëgjuam të gjitha këto, askush nuk mund të vazhdojë të dyshojë se ato nuk do të jenë më bashkë. Secila prej tyre e ka domosdoshmëri ekzistencën e tjetrës. Do të jenë bashkë duke rrënuar një ndërtesë paqeje, bashkekzistence. Do të ndihen në faj, njëra që pështyu pandershmërisht mbi fjalën e tjetra që u tregua e paaftë, naive për të përballuar pabesinë e tjetrës. Njëra që nuk arriti të shtrëngonte veten e tjetra që e la veten trup të lirë të rrëzohej pa kundërvepruar. Do ndihen në faj për tradhëtitë e bëra… gjuha që e tradhëtoi fjalën në kohën kur kjo i besoi më shumë e fjala që tradhëtoi mendimin dhe çankoroi veten prej andej.
Do të përjetojnë së bashku çastet e prehjes, paqes së munguar, paqes së gënjeshtërt apo hipokrites, po prapë bashkë do të jenë.
Dhe e dini pse?
Sepse pas këtyre çasteve dëshpërimisht të shëmtuara, do të vijnë disa çaste të tjera, lumturisht të bukura. Ato kur gjuha të mos kursejë ndihmën që fjala do ta dëshirojë më shumë se kurrë, atëhere kur gjuha, në ndihmë të mikes së saj të përjetshme, do të rrëmbejë shpatën për të thyer e para rrethimin kockor. Atëhere kur gjuha do t’ i lëpijë butësisht muret e ngurtësuara të fjalës që kjo të mos ndihet e thyer, e krisur… . Do t’ ju duhet të jenë bashkë kur të duan të japin nxehtësi të mjaftueshme sa për të shkrirë akuj. Do t’ ju duhet të jenë bashkë kur duhet të marrin energjinë e mjaftueshme për t’ u ngritur lart.
Do t’ ju duhet të mbështetin njëra- tjetrën për të mbetur të lidhura me mendimin, duke kapërcyer çdo çast xhelozie që mund të lindë.
Mbi të gjitha, ato duhet të jenë bashkë për të qenë më të forta.
Të forta për çfarë?!
Ato vazhdimisht do të ndeshen, vazhdimisht do të thyejnë, vazhdimisht do të çlirojnë.. . …dhe të mendosh që këtë do ta bëjnë ato të dyja, fjala dhe gjuha. Fjala dhe gjuha do të rrezikojnë muret e ekzistencës së deriatëhershme, do të rrëzojnë muret e izolimit, do të thërrmojnë shkëmbinj, ato të dyja, që nuk kanë qoftë edhe një eshtër të vërtetë në trup të tyre…&j&
Përgatiti: Ilir Jano
@NewsIn.Al

