KreuAktualitetiKristian Boçi, “ustai” i kredive miliona euro, nga HEC-et me Elman Abulen...

Kristian Boçi, “ustai” i kredive miliona euro, nga HEC-et me Elman Abulen te lëvizjet e pronësisë

Kristian Boçi, “ustai” i kredive miliona euro, nga HEC-et me Elman Abulen te lëvizjet e pronësisë; SPAK kërkon burg për dorëzanësin e tij

Kontratat bankare zbulojnë 3.8 milionë euro kredi për hidrocentralet e lidhura me Kristian Boçin, ndërsa Elman Abule dhe kompania RAMETAL kanë dalë garantë për milionin e parë. Të dy sot janë nën akuzë nga SPAK për pastrim parash në dosjen “Veliaj”. Ndërkohë, pas heqjes së sekuestros së pasurive me vlerë rreth 50 milionë euro, gjatë vitit 2026 regjistrohen lëvizje të reja pronësie në bizneset e Boçit.

Kristian Boçi, biznesmeni i luksit dhe milionave, i përfshirë në një dosje për pastrim parash me lidhje që shkojnë deri te njerëzit e trafikut ndërkombëtar të kokainës, ka ndërtuar një rrjet biznesesh ku nuk mungojnë hidrocentralet, kreditë milionëshe, kompanitë e riciklimit dhe lidhjet me tenderët e shtetit.

Pasi Gjykata e Tiranës i hoqi sekuestron pasurive të përfshira në hetimin 50 milionë eurosh, Boçi vazhdon aktivitetin e tij tregtar, ndërsa disa nga njerëzit dhe kompanitë që shfaqen në marrëdhëniet e tij financiare kanë përfunduar përpara SPAK-ut.

Një prej lidhjeve më të forta dokumentare është ajo me Elman Abulen, biznesmenin për të cilin SPAK ka kërkuar shtatë vite burg nën akuzën e pastrimit të parave, në procesin e ndarë nga dosja e Erion Veliajt.

Abule nuk shfaqet rastësisht në bizneset e Kristian Boçit. Ai ka dalë personalisht dorëzanës për një kredi bankare prej 1 milion eurosh, të marrë nga shoqëria HEC Zall Xhuxhë, ku Boçi rezulton pronar përfitues indirekt i 50% të kapitalit.

Kontrata nr. 678, e datës 6 mars 2020, është lidhur me Bankën e Parë të Investimeve, FIBANK. Përveç Abules, dorëzanëse ka qenë edhe kompania RAMETAL, së bashku me MAK-08 dhe Kristian Gjoken.

Pikërisht RAMETAL është një tjetër emër që sot gjendet në dosjen e SPAK-ut për Erion Veliajn, si shoqëri e akuzuar për pastrim parash. Një ndërthurje emrash dhe interesash financiare që meriton të shqyrtohet përtej procedimeve të veçuara.

Në dhjetor 2021, shoqëria HEC Zall Xhuxhë nënshkroi një tjetër kontratë kredie me FIBANK, këtë herë për 2.8 milionë euro. Pra, dy kontrata kreditimi me vlerë të përgjithshme 3.8 milionë euro, për një biznes koncesionar të lidhur me Kristian Boçin.

Koncesioni për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Mirditë ishte dhënë në shtator 2013, në fund të qeverisjes Berisha. Në tetor 2019, Gjoka Konstruksion shiti 10% të kuotave të shoqërisë koncesionare për vetëm 1000 lekë, duke ia kaluar Gloris Construction.

Nga koncesionet e energjisë te kreditë bankare, emri i Boçit shfaqet në një zinxhir marrëdhëniesh financiare që Prokuroria e Tiranës kishte detyrimin t’i analizonte me imtësi, përpara se të humbiste betejën gjyqësore për sekuestrimin e pasurive.

Kristian Boçi rezulton pronar përfitues me 50% të kapitalit, ndërsa administratorja e shoqërisë është bashkëshortja e tij, Drilona Boçi. Kompania operon në sektorin e grumbullimit, trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve.

Kush e financoi blerjen e kuotave, sa ishte çmimi real i shitjes dhe çfarë marrëdhëniesh financiare ekzistojnë mes ortakëve? Këto janë transaksione që mund të verifikohen konkretisht, sidomos pas historisë së sekuestrimit të pasurive të çiftit Boçi.

Interesat tregtare të Kristian Boçit shtrihen edhe te shoqëria farmaceutike FUFARMA, ku ai figuron aksioner minoritar me 0.041%. Sipas Albanian Files, kompanitë ku ai ka pasur pjesëmarrje rezultojnë fituese të 31 tenderëve publikë me vlerë rreth 8.4 milionë euro.

Vetëm në një procedurë të vitit 2026 për furnizimin me barin Imiglucerase alfa, FUFARMA paraqiti ofertën fituese prej 217.85 milionë lekësh, vetëm 39 lekë më pak se fondi limit, në një tender ku rezultoi ofertuesja e vetme.

Edhe pse pjesëmarrja e Boçit në FUFARMA është shumë e vogël dhe nuk provon kontrollin e tij mbi prokurimet, historia e bizneseve të tij meriton një hetim të plotë mbi origjinën e kapitalit, përfituesit realë dhe marrëdhëniet financiare.

Ndërsa SPAK kërkon dënimin e Elman Abules dhe ka dërguar nën akuzë RAMETAL-in në një procedim tjetër për pastrim parash, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare publike për dosjen ku përfshihet Kristian Boçi.

SPAK duhet të shqyrtojë nëse kreditë, garancitë bankare dhe lëvizjet financiare të këtyre personave kanë lidhje me veprat penale që po heton.

Kristian Boçi arriti të çlirojë pasuritë nga sekuestroja, ndërsa Prokuroria e Tiranës as nuk e ankimoi vendimin. Tani që dorëzanësi i tij, Elman Abule, dhe kompania RAMETAL janë përballë akuzave të SPAK-ut, lind një pyetje e drejtpërdrejtë.

A do të hetohet deri në fund edhe rrjeti financiar i Kristian Boçit, apo “ustai” i kredive miliona euro do të vazhdojë të livadhisë mes koncesioneve, kompanive dhe luksit, ndërsa drejtësia mjaftohet me dosjet e lëna përgjysmë?/Pamfleti

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Lini një koment

Shkruani komentin tuaj!
Shkruani emrin tuaj këtu

Më të lexuarat

Komente të fundit