U ktheva në shtëpi,
Në shtëpinë e vjetër
Që fle mes kujtimeve
Dhe harresës
Ku koha rri pezull
Si një ëndërr e marrë
Dhe pret zgjimin e saj.
U ktheva,
në rrugicën pa krye
ku si në shënjat e dorës,
lexoj fatin
që nuk e jetova kurrë
Askush nuk më njeh më mirë
se ky qoshk i heshtur,
që i ruan ende
sekretet e mia.
Dhe aty,
mes mureve gjysmë rrënuar,
unë dëgjoj
zërin e një kohe
që edhe pse më përket
nuk u bë kurrë e imja…
Kohë që më pret,
aty ku mbyllen rrathët
dhe ku çdo gjë kthehet
në pikën e nisjes.
gjergj zefi
@NewsIn.Al

