KreuAktualitetiKujtime nga vitet e fëmijërisë dhe rinisë në Korçë/ Agim Xhafka

Kujtime nga vitet e fëmijërisë dhe rinisë në Korçë/ Agim Xhafka

Kujtime nga vitet e fëmijërisë dhe rinisë në Korçë/ Agim Xhafka

Banesa jonë në Korçë dy dhoma dhe një kuzhinë ishte gjithë-gjithë 66 metër katror. Atje gjallonim plot frymë. Jo vetëm ne tre fëmijët, babai dhe nëna, por edhe gjyshja e xhaxhai. Ai ishte shumë më i vogël nga babai. Një vëlla fëmijë dmth. Kam katër, thoshte shpesh im atë, tre djem dhe një vajzë. Ama kujtoj se në gjithë atë kalaballëk asnjëherë shtëpia nuk pati grindje, sherre apo qejfmbetje. Të varfër, po ecnin sahat rregullat. Rrinim bashkë në atë kuzhinë aq të vogël as 9 metër katror. Mbanim rradhë te e vetmja banjë për shtatë persona. Se atje dhe gatuhej, atje mbahej dhe thesi i qymyrit, në ato mote nuk kishte furnela vajguri. Gjella bëhej mbi prush që vendosej mes dy tullave shamot ,si ato tullat e furrave te fabrika e qelqit. Mbaj mend as radio nuk kishim deri sa shkova në klasë të shtatë. E në mes të kuzhinës dy minderë të mëdhenj prej dërrase me dyshekë mbushur me kashtë. I kujtoj sot kur luanim e gëzoheshim si fëmijë të lumtur.
Për të fjetur një dhomë e kishte babai e nëna dhe një ne. Ne dmth tre fëmijët, gjyshja e xhaxhai. Dy krevatë nxinte dhoma. Në një shtrihej xhaxhai, te tjetra katër veta. Gjyshja dhe motra nga koka, unë e vëllai nga këmbët. Në dimër ishte bukuri se ngroheshim nga fryma e njëri-tjetrit. Në verë mëngjesi na gjente o me duart mbi kokën e vëllait, ose këmbët e tij mbi kurrizin tim. Si lidhëse këpucësh jeni bërë, thoshte babai kur na zgjonte.
Kështu ca vite, deri kur xhaxhai u martua dhe iku në shtëpi tjetër. Dy ditë pas dasmës së tij mamaja më mori mënjanë e më foli për ditë të bukura. Ajo fliste se do e ndreqte kuzhinën kështu e ashtu, do rregullonte korridorin, banjën dhe m’u ngul në tru kur më premtoi:
-Do flesh vetëm në krevat.
-Vërtet?
-Po, po. Qysh javën që vjen. Sa të të bëj një jorgan të bukur. Te krevati i xhaxhait të shtrihesh si pasha.
Mjaltë m’u duk çdo fjalë. Me gishta numëroja ditët. E ja erdhi fundi i javës. Sa shkoi ora 8 e darkës që të shkoja të flija, se isha akoma 12 vjeç, ajo më tha:
-Mbylli sytë!
Më kapi dorën e ngadalë më çoi te krevati.
-Hapi,- më tha.
Krevati mbuluar me jorgan bojëqielli. Si det i madh m’u duk. Nuk u mbajta dot e u zhyta drejt e mes dallgëve të tij. Sytë u mbushën me lot, zemra më gufoi, putha nënën dhe sa do mbyllja qepallat ndjeva diçka nga këmbët. U tremba, por dëgjova kukurisjen e vëllait. Qe futur dhe ai në krevat. Por nga këmbët. Kur pashë që kokën e kishte mbi jastëk, u nxeha:
-O ma, sikur do flija vetëm?
Ajo serioze më tha:
-Vetëm po fle. Vetëm je nga koka. Vëllai vetëm është nga këmbët.
U çorodita pak, por ajo nuk qe me faj. Më parë flinim dy nga koka, dy nga këmbët. Tani isha rehatuar. Sa u qetësova dëgjoj gjyshen:
-Shyqyr që do fle vetëm, -tha ajo.
Ngrita kokën e pashë që motra qe me gjyshen brenda një krevati, por jastëkun e kishte nga këmbët e gjyshes.
Mëngjesi i asaj nate erdhi shpejt. Se fjeta si qingj. Nga që kisha kapur standart të lartë. Kalova nga krevati me katër persona në krevatin me dy. Dhe vëllai dukej i ngopur me gjumë. Ishte verë e babai nuk pati fat të na gjente ngërthyer si lidhësa këpucësh. Kështu ca muaj se sa erdhi dimri e ftohta na hodhi vrik te krevati i gjyshes. U mblodhëm sërish të katërt dhe poshtë jorganit tregonim historitë e ditës. E kur të ngroh fryma të pëlqen muhabeti. E shijon si buka e thekur me ca djathë,dy pika vaj ulliri dhe rigon sipër.

Agim Xhafka _ Në Korçën tonë

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit