KreuKulturë / ArtKur mbylli sytë Skënderbeu, shqiptarët e përjetuan në mënyrë tragjike, vdekjen e...

Kur mbylli sytë Skënderbeu, shqiptarët e përjetuan në mënyrë tragjike, vdekjen e tij, atyre ja u ndjeu shpirti, çka do vinte më pas…/Nga B.Gjikondi

Çdo vit, dy herë në vit ndoshta dhe më shumë, Skënderbeu Princi i Epirit, ka ditë dhe ngjarje për tu përkujtuar. Të tijat personale por dhe të Kombit Shqiptar.
Kjo epidemia e sotme e përkujtimit të tij, virale si gripet e stinës, më la shije jo të mirë.
Gara kush e kush, kujtonte me fjalë bombastike figurën e tij, vërtetoi se trimat dhe veprat për të ngritur Kombin i përkasin të shkuarës në Shqipëri. Tashmë jemi në epokën e fjalëve.
Rezistenca 24 vjeçare ndaj pushtimit të superfuqisë turke dhe ravijëzimi i kontureve të Kombit Shqiptar duke e shkëputur nga përçarja dhe nënshtrimi, e bëjnë atë Yllin tonë Polar të Shqiptarisë.
Në një ditë si kjo ku figura të kobshme të historisë aktuale të Kombit shqiptar bëjnë sikur përkujtojnë Gjergjin tonë, dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm për inat, hakmarrje dhe përdorim halli personal, minimalisht ne të tjerët që Kombit i ofrojmë vlerat tona modeste, na takon të heshtim.
Klithma e sorrave e mbyt këngën e bilbilit.
Mbas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët pavarësisht rezistencave dhe luftrave lokale dhe sporadike, ndënjën shekuj e shekuj nën zgjedhën turke, dhe shpëtimi nga ajo ishte më shumë një akt i zhbërjes të asaj perandorie në mbarë Ballkanin (ne ishim të fundit) dhe një akt diplomatik e energjik i Ismail Qemalit që bëri të mundur mëvetësimin e Shqipërisë.
Nuk i them më kot këto fakte të mirënjohura, I them se më la shije jo të mirë karshilliku që i bënin sot me statuse (heronjtë e tastierave) ndihmës dhe figurës së Erdoganit.
Dinjitetin, pavarësinë, zhvillimin dhe prosperitetin kërkoje brënda vetes, jo jashtë.
Një popull parazitar dhe i vetgrabitur ndaj i varfër, rrjedhimisht do jetë edhe tekanjoz dhe mosmirënjohës.
Për sa kohë është i varfër se ka lejuar të grabitet dhe të dëbohet nga vatani (ndaj dhe ndënji shekuj në robëri) dhe asnjë mësim nuk ka nxjerrë nga mijëra të tilla që i ka dhënë historia, normalisht do përtojë të mendojë, lexojë dhe ngrejë kokën dhe dinjitetin.
Fiks si fjala lapidar e Skënderbeut që e përmendin dhe historianët e huaj .. “ lirinë nuk ja u solla unë, por e gjeta në mes jush “ dmth një popull që nuk do të zgjohet, mos e zgjo.. një popull që duron grabitqarët në krye të tij, mos e justifiko e aq më pak mëshiro.. cdo vlerë ose antivlerë vjen nga gjiri i popullit.

Për ta mbyllur me Skënderbeun sot do përmëndja pako gjëra për nder të tij në mënyrën më modeste të mundshme.

Kur mbylli sytë Skënderbeu, shqiptarët e përjetuan në mënyrë tragjike, vdekjen e tij, atyre ja u ndjeu shpirti, çka do vinte më pas.. ky zi dhe kjo tragjedi u përfshi në kostumet e tyre mijëra vjeçare, ja një dëshmi e rrallë e ardhur nga Mati në vitin 1934..
Zija
“Xhithë xhinja u mblodhën në Fushë të Kruës e banë nexhilit të math, çë ç’të bajmë ne për punë të Skanderbegjut. “ Do t’i nrojmë rrobet ç’i kemi pasë të bardha e t’i bajmë të zeza, për zi të Skanderbegjut” kanë thanë. E qysh m’atë kohë njer në këtë sitë soët na kanë metë xhoket e zeza për burrat ene stravecet e zeza për gjratë. Veçse stravecet Matja i hoç e i ka majtë vetëm Merdita. Na thekët e zeza i kemi në xhoket për zi të Skanderbegjut.”
Ali Zejneli. Mat, Shtator 1934
Gjithashtu Dora d’Istria ose Elena Gjika për shqiptarët , në një libër të saj të 1866 do zbardhte këto vargje vajtimi të popullit të mbledhura nga Vincenzo Dorsa tek arbëreshët për vdekjen e Skënderbeut..

Skënderbeu dhe vdekja

“Kur Skënderbeu u nis për të shkuar në betejë,
në rrugën që po përshkonte
takon vdekjen e mallkuar,
lajmëtaren e fatit të trishtë.
Vdekja – emri im është vdekja:
Kthehu mbrapsht, o Skënderbe se jeta jote është në fundin e saj!
Ai e dëgjon dhe e shikon ngultas,
nxjerr shpatën e tij të madhe, por ajo qëndron e patundur.
Skënderbeu: Hije ere, që tremb vetëm njerëzit frikacakë, nga e di ti që unë do të vdes?
Zemra jote e akullt mund të parashikojë fatin tim, apo ndoshta ty të janë hapur fatet e heronjve? Vdekja: Dje në qiej u hapën librat e fatit,, i zi dhe i ftohtë si një vello ai të zbriste në krye, Skënderbeut një psherëtimë i doli nga zemra :
Ah! Më trishton që unë nuk do të jetoj më gjatë.
Dhe duke parashikuar kohët e tmerrshme që do të ndodhnin,
pa birin pa baba dhe mbretërinë mes lotësh.
Mblodhi luftëtarët e tij dhe u tha:
Luftëtarë, besnikët e mi, turku do të pushtojë të gjithë tokën tonë
dhe ju do të bëheni shërbëtorë të tij.
Dukagjin, më sill këtu djalin tim, të parriturin djalin tim që ta lajmëroj.
Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr nënën tënde dhe përgatit tre anije, nga më të mirat që ke, sepse nëse e merr vesh turku, do të të marrë ty dhe do të fyejë nënën tënde.
Para se të ikësh mu atje në breg të detit
eshtë një Qipariz, i hijshëm dhe hijerëndë
atje ti lidh kalin tim.
Tek dëgjonin këto fjalë
Zunë vajin me dënesë
Për rreth tij fisnikët bujarë
Skënderbeu:përmbi kalë, erës së detit
Hapni ju flamurin tim
Dhe në mes të flamurit lidheni ju shpatën time
Kurë të fryjë erë e egër
Kali do hingëllijë
Flamuri do valvitet
Edhe shpata do tringëllijë
Dhe turku i trembur
Do kujtoj vdekjen..

Dhe për ta mbyllur tamam… do shkruaj këtu fjalët e Sulltan Mehmetit të dytë për Gjergjin tonë :
”Sikur të mos ishte lindur Skënderbeu, unë do të kisha vënë çallmën mbi kryet e Papës dhe gjysëmhënën mbi kubenë e Shën Pjetrit në Vatikan..

Skënderbeu e shkruajti vetë Historinë e tij të madhërishme, si gjeni, strateg, diplomat dhe Hero.
Ne na takon vetëm mos ta turpërojmë, zbarzim dhe përçajmë Atdheun, merakun e tij më të madh !
Kete portret te Skenderbeut e kam rastisur ne Galerine Uffizi te Firences, nuk e dija qe ishte aty, ka qene nje moment prekes, e njoha direkt, si une cdo shqiptar, tek ky portrtet dallon plagen ga ka ne krah te syrit te djathte, plage lufte.. plage heronjsh !

Brizida Gjikondi

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit