Kush u shet cigare të miturve burg deri 8 vite! Dënim me 16 vite nëse shitja e paligjshme sjell vdekje
Dy projektligje të deputetëve socialist Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, synojnë të ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, të cilët u shesin ose ofrojnë duhan të rinjve nën 18-vjeç.
Konkretisht në Kodin Penal propozohet të shtohet një nen 288/c, ku përcaktohet se ata persona që tregtojnë këto produkte tek të rinjtë nën 18 vjeç që janë ndëshkuar më parë do të gjobiten nga 100-300 mijë lekë ose burg deri në 6 muaj. Në rast të përsëritjes së shkeljes, gjoba do të jetë 300-500 mijë ose burg nga 6 muaj deri në 1 vit.
Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rënde i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekje prej këtyre produkteve, dënimi – thuhet në projektligj – do të jetë 8 deri ne 16 vjet burgim.
Vitet e fundit ka pasur një rritje alarmante te përdorimit te duhanit dhe produkteve te duhanit tek fëmijët dhe te rinjtë. Konsumimi i nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentet ka ndikime negative ne zhvillimin e tyre. Ajo sjell pasoja negative afatgjata për zhvillimin e trurit dhe mund te shkaktoje çrregullime ne te mësuarin dhe gjithashtu shkakton ankth. Po ashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë apo aksidental i fëmijëve ndaj lëngjeve qe cigaret elektronike përmbajnë, paraqet rrezik serioz për ta, pasi pajisjet mund te rrjedhin dhe fëmijët mund te gëlltisin lëngun, i cili është helmues”, thuhet në relacion.
@NewsIn.Al

