Monday, August 24, 2026
spot_img
HomeKulture / ArtLart në Qiellin e intelektualëve, për të paharruarin, mikun tim, Moikom Zeqo...

Lart në Qiellin e intelektualëve, për të paharruarin, mikun tim, Moikom Zeqo për datëlindjen e 73-të!/ Erget Cenolli

Lart në Qiellin e intelektualëve, uroj mikun tim, Moikom Zeqo për datëlindjen e 73-të!
Me këtë rast po ribotësoj një ese të shkruar për poemën”Postjeri qiellor” botësuar në veprën e tij më të bukur poetike, “Këmbësori kozmik”:

“POSTIERI QIELLOR” I MOIKOM ZEQOS APO POEMA – LABIRINT
-Kundrim tetëkëndor-

Në pesë mijë vite, që prej “Epit të Gilgameshit”, njeriu ka krijuar poema didaktike, poema lirike, poema heroike, poema idilike, poema epike etj. Poema “Postjeri Qiellor” (Moikom Zeqo “Këmbësori Kozmik”, Tiranë 2018), duket se bën një shmangie brenda llojit, duke krijuar “poemën labirint”.
Labirinti i parë dhe më i famshëm, krijuar prej njeriut është ai që ndodhej në katakombet e pallatit të Kretës në qendër të të cilit qëndronte Minotauri. Labirinti ka vetëm një hyrje-dalje dhe mandej udhëkalime pa fund. Në labirint mund të arrish lehtë në qendër, por për të dalë është gati gati e pamundur; çdo rrugëkalim është i ngjashëm dhe njëkohësisht i ndryshëm nga tjetri. Ndërsa labirinti mund të jetë nëntokësor a mbitokësor, poema – labirint është një arkitekturë qiellore.
Sapo vështrojmë titullin, biem në një mëdyshje nëse “Postieri Qiellor” është një metonim i Hermesit, lajmëtarit të perëndive apo metonim i vetë poetit? Për t’u përgigjur le të kthehemi pas në kohë tek vargjet e vëllimit të Moikom Zeqos “Letrat për Makabe Zaharian” ku shkruhet:
“Lajmëtari Hermesian rrëzohet dhe thyen kockat në boshllëk…”
Shohim se Hermesi kockëthyer nuk mund të bëjë më punën e postjer – lajmëtarit, këtë “detyrë” tashmë e merr poeti.
Lajmëtari Qiellor, përgatitet të hyjë në labirint, ai kërkon “fillin e Arianës” dhe e gjen atë tek zanoret:
“E gjej një revole,
Që qëllon me zanore
Mbi mure të shurdhëta bashkëtingëlloresh!”.
Në kohët e vjetra shkronjësit shënonin vetëm bashkëtingëlloret, ndërsa zanoret nënkuptoheshin, thënë më qartë: zanoret e gjenin vetë vendin në fjalë dhe ishin të pranishme edhe pa u shkruar. Pra filli është një element gjuhësor. Zanoret janë lëmshi që shpështillet për të ftilluar të fshehtat e gjuhës, pasi gjuha sidomos ajo poetike është labirinti më i ndërlikuar në në botën tonë prej idesh dhe përfytyrimesh.
Ndërtimi i jashtëm arkitektonik i labirintit moikomian është gjithëaq i ndërlikuar, pështjellë me një “dritë fshehtësire” siç thotë Lasgushi, këtë strukturë e marrim nëpërmjet dy vargjesh:
… kullë Davidi
Ndërtuar me puthjet e të dashuruarve”.
Kulla e Davidit është një katërkëndësh i rregullt me katër nënkulla: Hasmoneane-Herodotiane_-Bizantiniane-Myslimane, ndërsa poshtë ndodhen katakombet e labirintuara. Poshtë lidhet me “Dinjanë e poshtme” të parrallave shqiptare, që ndodhet në nja hapësirë të papërcaktuar dhe që metonimizon një “Univers paralel”.
Gjithë poema – labirint ndërtohet në 99 vargje. Ky është një numër mistik që zbërthehet vetëm nëpërmjet “matematikës” së Jungut, ku numrat mbidhen derisa arrijmë tek një i vetëm:
99 x (9+9=18~1+8=9). Nëse kthehemi tek origjina e numrave arabë atëhere shohim që 9-ta ka kuptimin “me nëntë qoshe”, pra kemi 9-të elemente (gurë qosheje) të cilat shumohen e shumohen duke pjellë veten e vet, pas çdo vargu, pas çdo metafore, metonimie e epiteti duke arritur tek 99-a.
Këto elemente përmblidhen në vargjet:
1.Ja librat e mi-mobilie baroke të zbrazëtirës…
2.Ja zambakët ujorë si xhufkat e opingave të stërgjyshërve të zhytur në vdekje…
3.Ja ylberi, që hyn në gojën time gjysmë të hapur kur fle, si gjarpëri sekret, hyjnor për të më ngrënë rropullitë e realitetit…
4.Ja metaforat që na infektojnë si mikrobet…
5.Ja fjalët që janë të papërkthyeshme dot si muzika…
6.Ja Kashta e Kumtrit, që tani është internet i Zotit, Zotit…
7.Ja Hija, që lëshon çdo çast trupi im i sfilitur-fantazma e së ardhmes…
8.Ja njëqind toponime Ilire-kangjella ari për varrin e harruar të Çabejt…
9.Ja Postieri Qiellor, Këmbëzbathuri Kozmik, përherë vjen e thërrmohet Absurdi, Pakuptimësia, shirat testamentalë pllenojnë gjithçka, thërrmijat bëhen vigane-është edhe kur ne s’jemi-flet edhe kur s’dëgjojmë, ribëhet edhe kur zhdukemi, i kapërcen ringjalljet e mëdha, as zotat, zotat nuk e ndalin dot…
Më pas shohim se çdo udhëz labirinti, ka një tabelëz gjuhësore ku shënohet pjesëza saktësuese, JA ( kjo poemë ka 91, JA, me të cilat nis shumica e vargjeve), e që shqiptarët e vjetër e shqiptonin, QE, për të saktësuer të QENURIT e njimendtë të një fryme që gjendet rreth nesh.

KODE MISTERIOZE

Nga sa shkrova më sipër arrij në përfundimin se vargjet e vjershave dhe poemave të Moikom Zeqos, nuk janë thjesht vargje, por kode misterioze të cilat duhen zbërthyer, për të hyrë e dalë nga LABIRINTI I PAVETËDIJËS. Ky labirint shpesh është vetjak dhe shpesh është shoqëror, por gjithmonë është i vështirë, i ngjeshur me një dëndësi atomike që në mënyrë të pavetëdijshme na mbart në tri kohë: në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Vargjet janë kode të fshehta: njëri na çon tek tjetri, tjetri tek më i pasmi e kështu me rradhë, njëlloj si një ekspeditë në kërkim të thesarit të mbretëreshës Teutë apo të mbretit Monun të Ilirisë, sepse vetëm Moikomi si “UN POETIC” ëshë pjesë e mitit, eposit dhe përrallistikës Iliro-Shqiptare. Zbërthimi i vargjeve moikomiane do të na:
-çlirojë nga ankthi i kërkimit
– pasurojë me njohje
-estetikëzojë shpirtërisht
-qartësojë udhën e së ardhmes
Diku nga fundi i poemës thuhet:
“Ja vareza e vjetër në kodrën e Durrësit si ushtrim algjebrik i JETË-VDEKJES, i KUPTIM-MOSKUPTIMEVE, i SHPIRT-KOCKAVE, i KUJTESË-HARRIMIT, me ikse të ndryshme kryqesh- ah varrezë e vjetër, varrezë e vjetër – ah algjebra e infinitit…”

TETËUDHËSHI…

Është diagrama me të cilin mund të depërtojmë në kodet hermetike të poezisë së Moikom Zeqos. Më sipër veçuam vargje të cilat na çojnë në vargje të tjera, e të tjerat në të tjera… derisa të arrijmë në qendër të labirintit.
Kjo diagram tetëkëndore ka tetë udhë labirinti, duke u zbërthyer në udhëza e shtigje, secila të çon në qendër ku ndodhet enigma e nëntë. Gjithë krijimi është një lëndë e lirë dhe e përqëndruar e ngjashme me “Bibliotekën e Babelit” të Borges-it: “Biblioteka është një sferë, qendra e vërtetë e së cilës është një gjashtëkëndësh i çfarëdoshëm dhe rrethi i saj i paarritshëm”. Këtu ndryshon vetëm numri i këndeve, pasi poema përfaqëson infinitin, pra tetën e rrotulluar horizontalisht.
Tek enigma e nëntë fshihet edhe çelësi i hapjes dhe zbërthimit mitologjik-filozofik-estetik të poemës në veçanti, por edhe të veprës poetike të Moikom Zeqos në përgjithësi. Fjalori i pasur, terminologjia moderne, toponimet antike, poetët, shkrimtarët, filozofët e profetët e panumërt që pështillen e shpështillen heshturazi e me shungëllimë, në rreth 100 librat e Moikomit, mund të kuptohen qartë e të ylberëzohen estetikisht, vetëm nëpërmjet zbërthimit të gjuhës rrënjore të Ilirëve; nga Gurët Ciklopikë të Persqopit deri tek katakombet e Epidamnit. Ky zbërthim ylberian realizohet nëpërmjet tri kalimeve:
LEXIM-MEDITIM-RILEXIM…

Erget Cenolli
Korçë, 13.06.2020

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments