Librat që nuk i kemi lexuar.
Disa ditë më parë, shoku im i dashur Ben Kallamata, pati gjetur në mbulesën e një botimi të vjetër të “Dr. Jekyll and Mr. Hyde” një listë librash të të njëjtit edicion. Plot 48 tituj. Nuk i kishte lexuar të gjithë dhe dukej se i vinte keq.
Por, a duhej që me patjetër t’i lexonte? Apo, kushedi, edhe mund t’i ketë lexuar? Këtë paradoks na i shpjegojnë, gjatë një një bashkëbisedimi kërshëror, dy mjeshtër të letrave: Jean-Claude Carrière dhe Umberto Eco:
Jean-Philippe de Tonnac: Gjatë këtij bashkëbisedimi ju përmendët shumë tituj librash, të ndryshëm dhe shpeshherë kërshërorë, por kam një pyetje nëse ma lejoni: i keni lexuar të gjitha këto vepra? (…) E marr me mend se ju keni dëgjuar të flitet për një vepër të Pierre Bayard, “Si të diskutosh për librat që nuk i ke lexuar”. Më dëfteni pak për librat që nuk i keni lexuar.
Umberto Eco: Unë mund të filloj, po deshe. Mora pjesë në New York në një debat me Pierre Bayard-in dhe besoj se për këtë çështje ai ka shumë të drejtë. Ka aq shumë libra në botë sa nuk na del koha as të mësojmë se ekzistojnë. Nuk bëhet fjalë aspak që të lexojmë të gjithë librat që shkruhen, por vetëm ata që përfaqësojnë një kulturë të veçantë. Ne pra, jemi ndikuar thellësisht nga libra që nuk i kemi lexuar, që nuk kemi pasur kohë t’i lexojmë. Kush e ka lexuar vërtet Finnegans Wake (romani i fundit i James Joyce-it, 1939 – sh. i p.), nga faqja e parë deri tek e fundit, dua të them? Kush e ka lexuar vërtet Biblën, nga Gjeneza deri tek Apokalipsi? Duke i bërë bashkë të gjitha pjesët që kam lexuar prej saj, mund të mburrem se kam lexuar mbi një të tretën. Por jo më tepër. E megjithatë, e kam një ide shumë të sak të pjesëve që nuk i kam lexuar.
E pranoj që “Lufta dhe Paqja” e lexova kur u bëra dyzet vjet. Por thelbin e dija përpara se ta lexoja. Ju përmendët “Mahâbhârata”-n: nuk e kam lexuar kurrë, edhe pse i kam tri botime, në tri gjuhë të ndryshme. Kush e ka lexuar “Njëmijë e një netë” nga faqja e parë deri tek e fundit? Kush e ka lexuar vërtet “Kâma-Sûtra”-n? Megjithatë, të gjithë mund të flasin për të, madje, edhe ta praktikojnë. Pra, bota është e mbushur plot me libra që nuk i kemi lexuar, por që për ta dimë thuajse gjithçka. Çështja është të dimë se në ç’mënyrë i njohim këta libra. Bayard thotë se nuk e ka lexuar kurrë “Uliksi”-n e Joyce-it, por është në gjendje t’u flasë për të studentëve. Ai mund t’u thotë se libri tregon një histori që zë fill dhe përfundon brenda një dite të vetme, që ngjarjet zhvillohen në Dublin, që personazhi kryesor është një hebre, që teknika e përdorur është ajo e monologut të brendshëm, etj. Dhe gjithë këta elementë janë rigorozisht të vërtetë, ndonëse ai nuk e ka lexuar.
Njeriut që të shkel në shtëpi për herë të parë, që sheh bibliotekën shumë të pasur dhe që gjëja më e hajrit që i shkon ndërmend është të të pyesë: “Të gjithë këta libra i ke lexuar?”, unë kam disa mënyra për t’iu përgjigjur. Një miku im do t’i gjegjej kështu: “Më shumë se kaq, zotëri, më shumë!”
Kurse unë kam dy përgjigje. E para është: “Jo. Këta janë vetëm librat që duhet t’i lexoj javën që vjen. Ata që i kam lexuar i mbaj në universitet.” Përgjigjja e dytë është: “Nuk kam lexuar asnjërin. Përndryshe, pse do t’i mbaja këtu?” Të kuptohemi, ka edhe plot përgjigje më polemizuese për ta nënvleftësuar më tepër, madje, edhe për ta vënë në siklet bashkëbiseduesin. Por, e vërteta është se ne kemi në shtëpi me dhjetra apo me qindra, pse jo edhe me mijëra libra (në rastin e bibliotekave tejet të pasura), të cilët nuk i kemi lexuar. E megjithatë, një ditë apo një tjetër, do të vijë rasti që këta libra t’i marrim në dorë për të kuptuar se tashmë ua njohim përmbajtjen. Por si? Si mund t’i njohim librat që ende nuk i kemi lexuar? Shpjegimi i parë okultist, të cilin nuk e mbështes: ka valë që lëvizin nga libri tek lexuesi. Shpjegimi i dytë: nuk është e vërtetë që, përgjatë viteve, ju nuk e keni zënë me dorë këtë libër, e keni zhvendosur disa herë, madje ndoshta edhe e keni shfletuar, por nuk e mbani mend. Përgjigjja e tretë: gjatë këtyre viteve ju keni lexuar një deng me libra që e citojnë këtë libër, ndaj jeni familjarizuar me të. Pra, ka shumë mënyra për të mësuar diçka prej librave që nuk i kemi lexuar. Fatmirësisht, përndryshe ku do ta gjenim kohën që të lexonim katër herë të njëjtin libër?
Jean-Claude Carrière: Dy fjalë përsa u përket librave të bibliotekave tona që nuk i kemi lexuar dhe që pa dyshim s’kemi për t’i lexuar kurrë: mbase sikush prej nesh e ka një ide t’i heqë mënjanë e t’i vendosë diku librat me të cilët dikur do të takohet, por më vonë, shumë më vonë, mbase edhe në jetën tjetër. Janë të tmerrshme ankesat e disave që po u troket ora e mbrame dhe që ende nuk e kanë lexuar Proust-in.
U. Eco: Kur më pyesin nëse e kam lexuar këtë apo atë libër, me shumë kujdes, gjithmonë përgjigjem kështu: “Po ju e dini, unë nuk lexoj, vetëm shkruaj.” Atëhere ata heshtin. Por ndonjëherë të bëjnë ca pyetje ngulmuese: “E keni lexuar romanin e Thackeray-t “Panairi i kotësive”?” M’u desh të dorëzohesha përpara këtij ngulmimi gati urdhërues dhe tri herë provova ta lexoja. Por romani më binte nga dora.
J.-C. Carrière: Po më bëni nder, se i kisha premtuar vetes se do ta lexoja. Faleminderit.
(…)
J.- P. de Tonnac: Pra, në çdo rast, ju përfundimisht ia dolët mbanë t’i shfajësoni të gjithë ata që në raftet e bibliotekave të tyre kanë plot libra që nuk i kanë lexuar dhe nuk do t’i lexojnë kurrë!
J.-C. Carrière: Është vërtet e rëndësishme të saktësojmë idenë se një bibliotekë nuk krijohet, me patjetër, vetëm me libra që i kemi lexuar ose që një ditë do t’i lexojmë. Apo që detyrimisht duhet t’i lexojmë. Vlen, qoftë edhe sikur të mos i lexonim kurrë.
U. Eco: Është dorëzanëse e dijes sonë.
J.-P. de Tonnac: Është si një lloj qilari verërash. Nuk është e domosdoshme që t’i pish të gjitha shishet.
J.-C. Carrière: E kam krijuar tanimë një qilar shumë të mirë dhe e di që do t’u lë trashëgim pasardhësve shishe vërtet të mira. Para së gjithash, ngaqë pi gjithmonë e më pak, por ble gjithmonë e më tepër. Por e di se po të më teket, mund të zbres në qilar dhe t’i mbaroj shishet më të mira. Unë blej verëra en primeur. Që do të thotë se i blej në vitin kur vilet rrushi dhe më vijnë tre vite më mbas. Në rast se bëhet fjalë për një bordo të cilësisë së lartë, për shembull, prodhuesit e ruajnë në voza, mandej nëpër shishe, në kushtet më të mira të mundshme. Përgjatë tri viteve vera përmirësohet, e ndërkohë ti nuk ke mundësi që ta pish. Një metodë e shkëlqyeshme. Tri vite më vonë, zakonisht ke harruar që këto verëra i ke pasë porositur. Kështu të vjen një dhuratë që ia ke bërë vetes vite më parë. Është vërtet e këndshme.

(…)
Jean-Claude Carrière & Umberto Eco
N’espérer pas vous débarrasser des livres. Entretiens menés par Jean-Philippe de Tonnac, Grasset, 2009, faqe 225 – 240.
#NewsIn. Al

