Saturday, April 18, 2026
spot_img
HomeAktualiteti“Lufta e panjohur mes Teheranit dhe Tiranës” Nga Stavros Tzimas/ KATHIMERINI

“Lufta e panjohur mes Teheranit dhe Tiranës” Nga Stavros Tzimas/ KATHIMERINI

“Lufta e panjohur mes Teheranit dhe Tiranës”

Nga Stavros Tzimas
KATHIMERINI – 13.03.2026

Një konflikt i heshtur, por i vazhdueshëm, mes Iranit dhe Shqipërisë zhvillohet prej vitesh larg vëmendjes së publikut ndërkombëtar. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar gradualisht, duke u shndërruar në një përplasje të hapur diplomatike, kibernetike dhe politike.
Në janar të vitit 2020, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, e cilësoi Shqipërinë si një “vend të vogël, por shumë djallëzor në Evropë”, duke pretenduar se në territorin e saj veprojnë elementë amerikanë dhe “tradhtarë iranianë” që komplotojnë kundër Republikës Islamike. Deklarata erdhi pas vrasjes në aeroportin e Bagdadit të gjeneralit të fuqishëm iranian Qasem Soleimani nga një dron amerikan.
Autoritetet shqiptare reaguan menjëherë. Presidenti i atëhershëm Ilir Meta theksoi se Shqipëria është një vend i vogël, por demokratik dhe që respekton ligjin ndërkombëtar, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi, si anëtar i NATO-s, nuk trembet nga kërcënimet.
Megjithatë, tensioni mes Teheranit dhe Tiranës nuk është i ri. Për vite me radhë ekziston një konflikt i heshtur që lidhet me praninë në Shqipëri të rreth 3 mijë anëtarëve të organizatës opozitare iraniane “Muxhahedinët e Popullit” (MEK), të cilët janë vendosur në kampin Ashraf-3 pranë Durrësit. Regjimi iranian i konsideron ata një organizatë terroriste dhe armik të drejtpërdrejtë të qeverisë së tij.
Sipas analistëve, kampi Ashraf-3 është shndërruar në qendrën kryesore të aktivitetit ndërkombëtar të MEK. Nga aty organizohen konferenca ndërkombëtare kundër regjimit iranian, fushata politike në kryeqytetet perëndimore dhe aktivitete propagandistike në rrjetet sociale kundër Teheranit.
Historikisht, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit nuk kanë qenë gjithmonë armiqësore. Në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, të dy vendet gëzonin marrëdhënie relativisht të mira diplomatike. Në vitet pas rënies së komunizmit, Irani u përpoq të zgjeronte ndikimin e tij në Ballkan, duke promovuar kulturën dhe interpretimin shiit të Islamit përmes institucioneve kulturore dhe fetare.
Megjithatë, kjo përpjekje u përball me pengesa të shumta. Orientimi i fortë pro-perëndimor i Shqipërisë, aspirata për integrim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO kufizuan ndjeshëm ndikimin iranian në vend.
Situata ndryshoi rrënjësisht pas vendimit për të pranuar në territorin shqiptar anëtarët e MEK, një proces i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe i realizuar me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara midis viteve 2013 dhe 2016.
Që nga ajo kohë, shërbimet sekrete iraniane kanë shtuar aktivitetin e tyre për të monitoruar aktivitetet e organizatës në Shqipëri. Në këtë lojë të heshtur spiunazhi janë përfshirë gjithashtu shërbimet e inteligjencës amerikane dhe izraelite.
Në vitin 2018, autoritetet shqiptare dëbuan ambasadorin iranian në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete që rrezikonin sigurinë kombëtare. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, dëbimi lidhej me plane të dyshuara për sulme ndaj anëtarëve të MEK në territorin shqiptar.
Më pas, tensionet kaluan edhe në fushën kibernetike. Në korrik të vitit 2022, një grup hakerësh i quajtur “Homeland Justice”, që sipas autoriteteve perëndimore kishte lidhje me Iranin, kreu një sulm të madh kibernetik ndaj sistemit digjital të qeverisë shqiptare. Platforma shtetërore e-Albania u paralizua për një periudhë të konsiderueshme, duke ndërprerë shërbimet publike në të gjithë vendin.
Qeveria shqiptare reagoi duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe duke dëbuar të gjithë stafin e ambasadës iraniane nga Tirana brenda 24 orëve.
Përplasjet nuk u ndalën aty. Në vitin 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) urdhëroi kontrolle në kampin Ashraf-3, duke hetuar dyshimet për aktivitete të lidhura me luftën kibernetike mes Iranit dhe organizatës MEK. Gjatë operacionit pati përplasje me anëtarët e kampit dhe një person humbi jetën.
Edhe në vitin 2025, sipas raportimeve, hakerë të lidhur me Iranin kryen një tjetër sulm kibernetik ndaj sistemeve të Bashkisë së Tiranës, duke thelluar më tej konfliktin digjital mes dy palëve.
Në sfondin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe luftës në rajon, analistët paralajmërojnë se Shqipëria mund të përballet me forma të reja të “luftës hibride”. Këto mund të përfshijnë sulme kibernetike, operacione të fshehta apo aktivitete të aktorëve të vetmuar që veprojnë në emër të regjimit iranian.
Megjithatë, ekspertët ushtarakë theksojnë se Shqipëria nuk përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak. Sipas ish-ministrit të Brendshëm dhe gjeneralit Sandër Lleshaj, rreziku më i madh nuk vjen nga raketat apo dronët, por nga operacionet e fshehta dhe aktivitetet e inteligjencës.
“Shqipëria nuk kërcënohet nga ajri, por Irani mund të përpiqet të na godasë në mënyra të tjera. Shërbimet tona të sigurisë duhet të jenë të gatshme për çdo skenar”, është shprehur ai.
Në këtë mënyrë, përplasja mes Teheranit dhe Tiranës vazhdon të zhvillohet në një fushë të padukshme, ku diplomacia, spiunazhi dhe teknologjia janë armët kryesore të një konflikti që mbetet kryesisht larg syrit të publikut.(AlbTv)

 

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments