- -Nuk e shtyn dot Paskali në Tiranë, -i thashë gruas…
Ajo Paskalin e ka kushëri të parë e do që ai të rrijë patjeter në kryeqytet. Se shkojmë e vijmë, bëjmë muhabet, organizojmë dreka e darka, shkurt kënaqemi. Por ja që sot më doli fjala. Paskali e la shtëpinë që bleu në Tiranë dhe iku bashkë me gruan në Prodan, në fshatin e tij, në Kolonjën e bukur.
-Nga e dije ti, apo ta tha ai vetë?
-Jo, jo. Nuk më tregoi gjë. E kuptova.
-E si?
-Të kujtohet para dy javësh që ishim tek varrimi i xhaxha Pandit? Atë ditë bëri ftohtë. Dhoma ku vinin burrat për ngushëllim po ngrohej me kondicionier. Ne në fshat ngrohemi me dru, u tha Paskali të gjithëve. Kemi një sobë të madhe me pllakë gize sipër. Na nxeh e na kënaq. Se druri o miq, kur digjet të gostit edhe me aromë. Ja,p.sh.ahu të sjell në flegra erën e jugut mbushur me tërfil e me jonxhë të sapombirë. Koçimarja kur digjet të gostit me aromën e çajit të Gramozit, duket sikur sapo ke vënë ibrikun mbi zjarr. Edhe lisi sjell plot aromë, por jo ai lisi i rritur atje ku s’e kap dielli. Ai edhe tymin e bën gri dhe ajrin e ndot.
-Dhe? – më pyeti gruaja.
-Dhe dukej që po e kullufiste malli për fshatin, po e tërhiqte me ëndërra, me aroma, me zhurma dhe vegime. Sa e dëgjova që foli me kaq ngazëllim e pyeta, ore do kthehesh sërish në vendlindje ti? Nuk nxori zë, por lëshoi ca përgjigje me sy. I ndritën ato si maçokut tonë kur kthehemi nga puna. Që na fërkohet e na tregon sa na do e sa mall ka.
Iku Paskali. Nuk ka asnjë qytet në botë që ia del fshatit të tij, fshatit që ngjan si grua shtatzanë mbushur me kujtime, me plot të mira dhe me pengje. Fshat që “pjell” në çdo stinë të vitit.

Agim xhafka
@NewsIn.Al

