Marrëveshja PS-PD për Reformën Zgjedhore, lista zgjedhore për vitin 2025 do të jetë 1/3 e mbyllur dhe 2/3…
Arrihet marrëveshja PS-PD për Reformën Zgjedhore, lista zgjedhore për vitin 2025 do të jetë 1/3 e mbyllur dhe 2/3 pa herës, palët gjejnë dakordësi edhe për votën e emigrantëve
Komisioni i Ligjeve miratoi dje me 19 vota pro dhe 1 kundër ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat i hapin rrugë edhe votës së diasporës. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa kundër votoi deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se “nuk është votë kundër diasporës, por kundër pazarit PS-PD”. Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri shpjegoi ndryshimet që janë propozuar, nga vota e diasporës te 1/3 e listës së mbyllur, ndërsa theksoi se “ligji duhet të jetë uniform për të gjithë”.
Si do të bëhet shpërndarja e mandateve?
Referuar variantit të dakordësuar për herësin 1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e fiksuar, pra do të përcaktohet nga kryetari i partisë, ndërsa 2/3 e listës do të jetë e hapur dhe kandidatët për deputetë në këtë listë do të garojnë mes njëri-tjetrit për të fituar mandatet fituese ata me votat më të larta parapëlqyese. Ndërsa referuar ndryshimeve që priten të miratohen dhe janë në draftin e përbashkët kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Shembull: Qarku i Tiranës ka 36 mandate, 1/3 e listës së çdo subjekti zgjedhor do të renditet në listën fituese, pra 12 deputetë. 12 kandidatët e renditur nga kryetari i partisë në listën fikse e kanë të sigurt mandatin e deputetit dhe vetëm nëse partia arrin të sigurojë më shumë se 12 mandate (shembull:+ 4 mandatate të tjera) , gara për këto mandate do të zhvillohet mes kandidatëve të renditur në listën e hapur, duke përcaktuar fitues këtë herë 4 më të votuarit.
Nuk ka me “favore” per kryetaret, kandidohet vetëm në 1 qark
Po kështu në këtë draft nuk ka më ‘favore’ për kryetarët. Ndryshe nga zgjedhjet e 2021 kur kryeministri Edi Rama kandidoi në Vlorë e Durrës, apo Monika Kryemadhi kandidoi në qarkun Tiranë e Fier, tani me ndryshimet nuk do jetë më kjo.
Në nenin 67 në pikat 4 e 5 thuhet se “Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish”.
Kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Një ndryshim tjetër është edhe heqja e pragut 1% në rang kombëtar për kandidatët e pavarur.
Vota e diasporës
Sipas draftit përfundimtar sa i takon votës së emigrantëve KQZ drejton mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e zgjedhjeve gjithashtu organizon votimin. Çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij. Edhe regjistrimi elektronik i zgjedhësve jashtë do të realizohet nga KQZ-ja.
Procesi i hartimit të listës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Zgjedhësi paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në momentin e regjistrimit automatikisht çregjistrohet në listën e zgjedhësve brenda vendit. Votimi do të bëhet përmes postës. KQZ dërgon fletën e votimit në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve dhe më pas votuesi e dërgon të plotësuar dhe e sekretuar në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit
Xhoana Vraniçi(Sot)
@NewsIn.Al

