KreuKulturë / ArtMbi dialektet, nëndialektet dhe nëndialektet e nëndialekteve./ Nga Teodor Osoja

Mbi dialektet, nëndialektet dhe nëndialektet e nëndialekteve./ Nga Teodor Osoja

Mbi dialektet, nëndialektet dhe nëndialektet e nëndialekteve.

Gjuha është marrëveshje për të komunikuar, para së gjithash. Gjuha (leksiku dhe tërësia e rregullave që e rregullojnë) është një marrëveshje komunikimi e një bashkësie të caktuar njerëzore. Përdorimi me këmbëngulje i një dialekti gjuhësor përbën, për mua, vetëpërjashtim këmbëngulës nga marrëveshja e gjuhës së njësuar, për të pranuar një marrëveshje gjuhësore më të ngushtë nga pikëpamja territoriale, e kështu me radhë…

Nëndialektet, janë një marrëveshje edhe më e ngushtë akoma, e cila pranon të folurën e vetëm një territori të ngushtë dhe përjashton marrëveshjet gjuhësore më të gjëra, deri sa të shkojmë tek grupkatundi, që mund të ketë të folme të ndryshme nga grupet e katundeve ngjitur.
Ky është gjykimi im për dialektet dhe nëndialektet.

Sa më thellë të futesh në nëndialekte e nën…nëndialekte, aq më shumë i zvogëlon përmasat e komunikimit me llojin tënd gjuhësor. Lloji gjuhësor, pra ka të bëjë me përmasën gjithëpërfshirëse territorialo-gjuhësore, ku njeriu brendashkruan veten. Pra, lloji gjuhësor përcaktohet nga vetëdeklarimi i njeriut, si (unë p.sh.) shqiptar, korçar, oparak, apo osojas (fshati Osojë, i Oparit të Korçës, që mund të ketë një të folme pak më të ndryshme se një fshat tjetër pak më tutje). Çdo nivel gjuhësor që unë kam zgjedhur të përdor, në renditjen më lart, përbën edhe deklarimin tim, vetjak, lidhur me llojin gjuhësor dhe shoqëror, që unë kam zgjedhur ta quaj veten pjesë.

Mos duhet vallë që shqiptarët të merren vesh anglisht mes tyre, sepse disa nuk bien dot dakord me përmasat gjuhësore gjithëpërfshirëse, ngaqë nuk shkëputen dot nga përmasa mikro, e nuk ngrihen dot në përmasën makro? Jo! Shqiptarët e kanë zgjidhur këtë punë dekada më parë. Kemi gjuhën shqipe të njësuar, si gjuhën kombëtare të kombit shqiptar.

Këto përpjekjet që pëlcasin si fishekzjarrë të skaduar, lart e poshtë në qiellin e bukur të gjuhës shqipe, për të imponuar me dhunë si normë, gjuhët e vogla të katundeve zanafillore, që në fakt përbëjnë nëndialekte të nëndialekteve, më duken si lëvizje hallexhinjsh, që për arsye se nuk dalin dot në përmasën gjithëpërfshirëse makro, të gjuhës së njësuar, struken ngrohtë në përmasat mikro të katundit, apo të zonës gjuhësore, duke e patur, shpesh, të pamundur madje edhe për të heshtur, pikërisht për arsyen e sigurisë absolute që të jep padija apo mosdija, përmasa mikro, mendësia e katundit, sidomos kur i mbivendoset, dhe në përgjithësi me agresivitet, në mungesë të çfarëdo tolerance civilizuese, gjithçkaje tjetër që del tej kornizave të llojit gjuhësor mikro, ku njeriu përkatës e ndjen veten pjesë.

Pale kur fillojnë me ato historitë e komunizmit, që nuk mbarojnë kurrë, e që nuk lanë më vend pa e futur si arnë të gatshme. Mos të guxojë njeriu të thotë diçka që bie ndesh me mendimin e dikujt, se fap, ja plas arnën e komunizmit në gojë, qepur me gjilpërën më të trashë të mundshme.

Në Gjermani dhe Itali, edhe sot, pas më shumë se një shekulli njësimi gjuhësor, vijon ndonjë debat inatçor lidhur me dialektet. Po mirë këtu ja paska bërë komunizmi i fëlliqur këtë të keqe gjuhës shqipe, po atje kush ja bëri të keqen gjuhës përkatëse?

Është më se e natyrshme që çdo lëvizje konverguese të prodhojë forca diverguese, por kjo nuk do të thotë që duhet të kthehemi pas. Kjo do të thotë që duhet të ecim përpara e të përpiqemi të ndreqim ndonjë difekt që është vënë re në proces (si psh përdorimi i paskajores në vend të pjesores, etj.). Teoritë e kuotës zero (prish gjithçka dhe bëje nga fillimi) u vërtetua që janë katastrofike për Shqipërinë.

Teodor Osoja

@ NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit