Meksikë: 14 të vdekur në shlyerjen e llogarive mes anëtarëve të kartelit të drogës Sinaloa
Autoritetet në shtetin meksikan të Sinaloa thanë të dielën se 14 persona ishin vrarë një ditë më parë, ndërsa përleshjet midis bandave rivale u ndezën pas arrestimit të një zyrtari të lartë të kartelit të drogës.
Shumica e vrasjeve u regjistruan në Culiacan, kryeqyteti i shtetit Sinaloa, sipas zyrës së prokurorit, e cila ka urdhëruar një hetim për rastin.
Muajt e fundit, përplasjet mes grupeve kriminale janë përshkallëzuar, duke detyruar bizneset dhe shkollat të mbyllen për arsye sigurie.
Një valë e pakontrollueshme dhune shpërtheu në rajon pas arrestimit të Ismael “El Mayo” Sabada, bashkëthemelues – së bashku me Joaquin “El Chapo” Guzmán, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në SHBA – të kartelit të drogës Sinaloa.
Presidentja e re e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka urdhëruar vendosjen e një force të fortë ushtarake në shtetin e Sinaloa për të rivendosur sigurinë dhe për të luftuar krimin. Megjithatë, konfliktet vazhdojnë.
Autoritetet thanë të shtunën se frigoriferë me mbetje njerëzore u gjetën në pjesë të Sinaloa, duke vënë në dukje se ato mbanin shenja lufte midis bandave rivale.
Të martën, në një shkëmbim zjarri në periferi të Culiacan, 19 anëtarë të bandës u vranë dhe një anëtar drejtues i kartelit lokal të drogës u arrestua.
Lufta e ndezur mes bandave në shtetin Sinaloa ka marrë jetën e të paktën 200 personave, ndërsa më shumë se 300 janë të zhdukur, sipas autoriteteve lokale.

@NewsIn.Al

