Po ndjek në vijimësi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë, përmes komunikimit të vazhdueshëm me strukturat spitalore.
Në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen aktualisht një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali.
Për mua, përparësia mbetet shëndeti dhe siguria e çdo personi të lënduar. Kujdesi mjekësor ofrohet për të gjithë, pa dallim, me profesionalizëm dhe në përputhje me nevojat e secilit.
Komunikimi me strukturat shëndetësore vijon pa ndërprerje dhe informacioni do të përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore.
Mirënjohje për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre.
@NewsIn.Al

