KreuAktualitetiMisteri Ervis Martinaj/ “Lufta” për pasurinë, i gjallë në dosje, i zhdukur...

Misteri Ervis Martinaj/ “Lufta” për pasurinë, i gjallë në dosje, i zhdukur në jetë

Në botën e krimit të organizuar, ndodh që personazhe të caktuar të zhduken.

Herë duke inskenuar gjithçka vetë, për t’iu shmangur rivalëve apo edhe drejtësisë.
Herë për shkak të ndonjë pengmarrje që ndodh të ketë edhe pasoja fatale, siç edhe ka ndodhur në Shijak në vitin 2019, me vrasjen e Jan Prangës, që edhe pse nuk u gjet kurrë trupi i tij, provat flisnin për një vrasje.

Por rrallëherë zhduket një njeri që kërkohet nga drejtësia dhe që vetë drejtësia nuk arrin ta gjejë. Madje për vite me radhë nuk jep ndonjë përgjigje konkrete.

7 gusht 2022, një hotel në Durrës, kamerat e sigurisë fiksojnë për herë të fundit Ervis Martinajn.

Ai nuk duket i shqetësuar. Nuk ka shenja frike. Asnjë shenjë se disa orë më vonë do të zhdukej pa lënë gjurmë.

Tri ditë më pas, familja e tij e denoncon të zhdukur në Policinë e Kurbinit.

Që nga ai moment, nis një nga misteret më të mëdha kriminale në Shqipëri.

u arratis? U rrëmbye? Apo u vra?

Ndërkohë që këto pyetje mbeten pa përgjigje, një tjetër histori zhvillohet paralelisht.

Në dosjet e SPAK, emri i tij vazhdon të shfaqet. Në përgjime, në akuza, në hetime të reja.

Por familja thotë të kundërtën: Ai është vrarë.

Dhe sot, më shumë se tre vite pas zhdukjes, një pyetje mbetet pezull: A është Ervis Martinaj një i zhdukur apo një i vdekur pa trup?

Në Shqipëri, ligji është i qartë. Një person i zhdukur nuk shpallet i vdekur menjëherë. Kodi Civil parashikon një afat të gjatë, të paktën 6 vite pa asnjë lajm. Është një mekanizëm mbrojtës, për të shmangur gabimet e pakthyeshme.

Në rastin e Ervis Martinajt, zhdukja është kallëzuar më 10 gusht 2022. Sot, kanë kaluar më pak se 4 vite. Më 22 tetor 2025, babai i tij, Mustafa Martinaj i ka kërkuar Gjykatës së Lezhës që ta shpallë të zhdukur. Megjithatë ende nuk është marrë një vendim për këtë kërkesë. Kërkesa është bërë brenda afateve. Pra që të shpallet i zhdukur me vendim gjykate duhet të kalojnë të paktën 2 vite nga momenti kur është denoncuar ngjarja dhe nuk asnjë shenjë të tij.

Pasi të merret një vendim për zhdukje, duhet të kalojnë edhe 4 vite të tjera, që me kërkesë të familjes, Gjykata të shpallë vdekjen e tij.

Pra, në kushtet normale, ligji kërkon të pritet deri në vitin 2028.

Por a është ky një rast “normal”?

Sipas familjarëve, ai është vrarë. Sipas dëshmive në dosje, ai ishte i përfshirë në konflikte të rënda kriminale. Sipas hetimeve, kishte plane vrasjeje dhe ishte vetë objekt i kërcënimeve.

Megjithatë, për gjykatën, këto nuk mjaftojnë. Sepse ligji nuk funksionon mbi dyshime. Ai kërkon prova konkrete për një rrezik të menjëhershëm dhe të dokumentuar për jetën.

Dhe deri më sot nuk ka trup, nuk ka vendngjarje të provuar, nuk ka një moment të qartë ku jeta e tij është vënë në rrezik fatal në mënyrë të verifikueshme.

Kjo krijon një boshllëk të pazakontë ligjor. Në një anë, një familje që kërkon një përgjigje. Në anën tjetër, një sistem drejtësie që kërkon prova. Por çështja bëhet edhe më komplekse. Sepse Ervis Martinaj nuk është thjesht një person i zhdukur.

Ai është një person në kërkim ndërkombëtar. I hetuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa procedime penale dhe me dhjetëra pasuri të sekuestruara

Dhe këtu lind pyetja thelbësore. Çfarë ndodh nëse ai shpallet i vdekur?

Në teori, hapet rruga për trashëgiminë. Por në praktikë, pasuritë e tij janë tashmë nën kontrollin e shtetit. Procesi pasuror nuk ndalet.

Konfiskimi mund të vazhdojë dhe trashëgimtarët nuk marrin asgjë, nëse pasuritë provohen si të paligjshme. Pra, shpallja e vdekjes nuk është një zgjidhje. Është vetëm një ndryshim statusi në letra. Dhe ndërkohë, paradoksi mbetet.

Në dokumentet e drejtësisë, ai është ende gjallë, një person në kërkim. Në deklaratat publike, ai është i vdekur.

Aty ku mungesa e provës është po aq e fortë sa një provë. Dhe ku një njeri mund të ekzistojë njëkohësisht si i gjallë dhe si i zhdukur.

Ervis Martinaj, që prej 10 gushtit të vitit 2022, është denoncuar i humbur nga familjarët e tij. I njohur si mbreti i lojërave të fatit, herë pas here është akuzuar e dyshuar për krime të rënda. Është hetuar, madje edhe arrestuar, por gjithmonë ka arritur të marrë pafajësinë. Fillimisht emri i Ervis Martinajt u përmend nga grupi hetimor në tetor të vitit 2013, kur u ekzekutua Elvis Doçi në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Në atë kohë sapo kishte nisur operacioni “Fund Marrëzisë” dhe Policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.(vikon)

 

@NewsIn. Al

NewsIn Al
NewsIn Alhttps://newsin.al
NewsIn Al është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit