“Mos i fol një Femre në ballkon…”
Mos i fol një femre në ballkon, gënjeshtër do jetë pergjigjia e saj.
Ballkoni për Femrën është si copë qielli personal në të cilin ajo lejon të kalojnë vetëm retë rozë që ajo do dhe i lejon t’a qullin me shi…
Mos i fol kurrë në ç’farëdo moshe që të jetë, fëmijë, vajzë, grua, gjyshe…
Vajza në ballkon pret Atë që do i zemra…
Gruaja në ballkon pret gjithmonë dikë që nuk je Ti…
Nëna në ballkon “pret” një burrë që i vdiq, një djalë që i iku ushtar, emigrant…
Nje Femër në ballkon nuk pret dashnorin por të dashurin!
Femra në ballkon del neglizhe, kreh flokët, i than, lexon, pi kafe, nder rroba, lan xhamet, ujit lulet, hedh ujë në pllaka të pastra…bën mijëra punë të plota dhe të kota.
Në ballkon ajo jep mijëra koncerte, miliona puthje, miliarda shikime, derdh miliona lot…
Mos i fol … nuk i flitet një shpine sado e lakuriqtë qoftë…nuk i flitet një trupi që ndonëse u ngrit nga krevati me ty të ktheu shpinën, bëhu i zgjuar vetëm për një çast!
Ballkoni për të është një qeli burgu e artë…Ti e sheh, e kontrollon, e ke aty por ajo ka bërë mijëra fluturime dhe t’u kthye prapë, më copë se ç’do herë tjetër…
Po pe një femër që do qetësinë e saj të gjatë në ballkon, koha është të pyesësh një shok a mik, ose të më lexosh mua, Femër…
Nëse nuk më beson, provo të përplasësh derën para se të ikësh dhe rikthehu prapë, nuk do e ketë kuptuar ikjen tënde fare…
Femra që mbjell shumë lule në ballkon ka boll sekrete për të thënë me Henën dhe Diellin…
Femra që nder gjatë në kohë rrobat në ballkon, i ka plasur shpirti nga shtëpia. I hap me nge çarçafët e bardhë si letra “të shkruara” për Zotit…
Mos ki kurrë frikë nga një femër që rri gjatë në ballkon, o është e mënçur dhe lexon o është përjetësisht e një Mashkulli tjetër, gjë që Ti e dije dhe besova se do ndodhte ndryshe me kalimin e kohës…
Kur lan ballkonin me shumë ujë është sikur i lutet ujit ta marrë me vete nga lodhja fizike dhe shpirtërore…
Në ballkon ajo ndjen dashurinë më shumë se në ç’do cep të shtëpisë…
Edhe kur është shtatzënë Jo me ty, derisa të gjejë gënjeshtrën e të vërtetës, në ballkon e shtyn kohën…
Nje femër e divorcuar rri gjatë në ballkon me shpresën se Ti e sheh nga dimensioni i tradhëtisë me pendim qe e le të ketë jetë vetëm në ato pak pllaka ballkoni…
Shpesh nuk kujdeset ku derdhet uji i ndotur i ballkonit, mbi cilat koka njerëzish bije…është faza që Nuk duron dot më asgjë…
Nëse je king mashkull dhe i ke ballkonet afër me të por ajo nuk të ka vënë re, ka kohë që është e lirë dhe ka harruar reflekset e dashurisë…mos prit asgjë nga ballkoni, bjeri derës dhe kërkoi borxh ç’farë të duash.
Nëse lexon shumë dhe nuk tundet nga ballkoni të të bëjë kafenë, është shenjë se dikush ka filluar t’i pëlqejë shumë…
Nëse dikush i flet nga poshtë ballkonit dhe ajo i shmanget zërit të çjerrë, do të thotë se Nuk do ta mësojnë që ajo rron në atë ballkon…
Nese asaj i bijen shpesh gjëra nga ballkoni si kapset e rrobave, ka nevojë për një shoqe zemre, duhet të jetë zënë me të gjitha…
Nëse ju fton në shtëpinë e saj dhe i’u tregon direkt ballkonin, i’u fton ta pini aty kafen, do t’ju thotë sekrete në shoqëri me ju, me lulet dhe Diellin, ju beson shumë si njeri, ju do…
Femra që mbas dashurisë me një burrë del direkt në ballkon, ka dëshirë të lahet në dritë sa me shpejt nga ajo që ndodhi sepse tek uji nuk shkon dot aq kollaj, dihet përgjigjia e pyetjes delikate nga ai që po lahet “më do apo jo?” …merr të dytën!
Një femër që ha në ballkon me orë të tëra, do qetësi të madhe në të ngrënë, ka tendenca të bëhet Mullar kashte, mos e lejoni…
Një femër që sapo të ka thënë se pret fëmije nga ty dhe del në ballkon menjëherë, dashuroje dy herë sepse deshi të fluturoje nga dashuria për ty…
Nje femër melankolike që përhumbet gjatë në mendime në ballkon, zbathur në pllakat e ftohta, është Më e dëshperuar se kurre, ideja se mund “të zbresi” nga andej i ka kaluar ndër mënd! Kujdesu kushdo qofsh ti si njeri për atë Femër…
Ballkoni na jep dritë, gëzim, melankoli, na shpëton nga flaka kur duhet.
Ballkoni është shtëpia jonë e hapur në të cilin mund të jetojmë romantizëm dhe erotizëm me ata që na pëlqejnë përreth, si në plazh, afër dhe fare afër në sy të të gjithëve…
Nëse doni të dini sa e pastër është një femër dhe e ke fiksim pastërtinë…shiko ballkonin e saj që duhet t’ju verbojë nga larg nga pastërtia…mos hyr fare në shtepi, farmaci e ka.
Nëse një femër kalon shumë orë me femijët në ballkon është shumë e kujdeshme si mami se është e bindur që femijët do e dëgjojnë po filluan marrëzite për të hypur në të, duaje, mos ia ki frikën si Nënë…
Një femër plaket në ballkon dhe lut zotin që në pleqëri shtëpia e saj të ketë ballkon, si ndryshe ta nxjerri mbarë vetminë?!
Une e dua ballkonin tim të vajzërisë dhe e kujtoj me lot kur…
gjithmonë në orën 6:45 Ai dilte nga shtëpia, kalonte poshtë ballkonit tim dhe fishkëllente “Love story”…unë gjithmonë thaja ose krehja flokët, nderja çarçafë në atë orë!
Dhe që atëherë dal në ballkonin tim në të njëjtën orë, në të njëjtën shtëpi
Kam vënë një vazo me Gjembaç në ballkon që të durojë gjatë pa ujë si mungesat e mija dhe të tregojë te kushdo që, asgjë që duam nuk vdes as nga distancat.
Gjembaci pret… e pret, mua më pret që ta ujis…
Ëndrra e ç’do femre është të konstatojë dikur se, Ai u shfaq si hije e fshehur pas peme para ballkonit të saj…
Mos harroni sa njerëz tanët do kalojnë një jetë në ballkonin e tyre të ngujuar në karrocën e fatit!!!
Me❤️ për Ju, NilaR

@NewsIn.Al

