NASA: Asnjë fjalë zyrtare për tërheqjen e Rusisë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor
NASA nuk ka marrë ende asnjë informacion zyrtar në lidhje me synimin e rusëve për t’u larguar nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor ( ISS ) pas vitit 2024, tha sot një zyrtar i lartë i agjencisë hapësinore amerikane.
“Ne nuk kemi marrë asnjë deklaratë zyrtare nga partneri ynë në lidhje me lajmet e sotme,” tha Robin Gatens, drejtor për ISS në NASA, këtë mëngjes (me orën lokale) në një konferencë hapësinore në Uashington. “Kështu që ne do të diskutojmë më shumë për planet e tyre.”
Shtetet e Bashkuara duan të zgjasin ISS deri në vitin 2030, por kreu i ri i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos njoftoi sot se Rusia do të ndalojë pjesëmarrjen në program “pas 2024”.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të dëshironin që rusët të tërhiqen nga ISS, Robin Gatens tha: “Jo, absolutisht jo. Ata kanë qenë partnerë të mirë, si të gjithë partnerët tanë, dhe ne duam të vazhdojmë së bashku, si partneritet, të operojmë stacionin hapësinor gjatë dekadës”.
Stacioni hapësinor është rezultat i një bashkëpunimi të madh ndërkombëtar dhe NASA ka thënë shumë herë se nuk mund të funksionojë pa kontributin e partnerëve të ndryshëm.
Duke filluar nga viti 2030, NASA parashikon një kalim drejt stacioneve komerciale, të cilat i ndihmon në zhvillimin dhe shërbimet e të cilave dëshiron t’i marrë me qira kur ISS të dalë në pension.
“Rusët, si të gjithë ne, po mendojnë se çfarë do të ndodhë më pas për ta”, tha Robin Gatens. “Ashtu si ne po planifikojmë një tranzicion pas vitit 2030 në stacionet komerciale të orbitës së ulët, [ata] kanë një plan të ngjashëm. Kështu që edhe ata po mendojnë për këtë tranzicion”.
Yuri Morisov, kreu i Roscosmos, tha sot se rusët po llogarisin në krijimin e një “stacioni satelitor rus”, i cili do të jetë “prioriteti kryesor” i programit kombëtar hapësinor.(Newsit)
@NewsIn.Al

