Sot një ditë e dhimshme për Popullin Shqiptar,
sepse ky shtet 109 vjeçar nuk iu krijoi mundësinë të ndërtojnë jetën në vendin e Tyre.
Faleminderit dhe mirënjohje të thellë emigrantëve pasi nuk kanë rreshtur së ndihmuari ekonominë e Shqipërisë.
Falenderim dhe mirënjohje shteteve që na mikpritën ne,motrat,vëllezërit,fëmijët tanë.
18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve, e vendosur në vitin 2000 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Më 4 dhjetor të vitit 2000 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e mori Vendimin për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, le të riafirmojmë përkushtimin tonë për t’i dhënë formë shoqërive të ndryshme dhe të hapura, duke siguruar mundësi dhe jetë me dinjitet për të gjithë emigrantët”, ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, për këtë ditë.
Kush quhet emigrant? Përgjithësisht një emigrant quhet dikush që ndryshon vendin ku jeton, pa u futur tek arsyet e zhvendosjes. Ekziston një ndryshim mes një emigranti dhe një refugjati. Sipas konventës së vitit 1951 lidhur me statusin e refugjatëve, një refugjat është një njeri që për shkak të frikës së persekutimit, për arsye të fesë, nacionalitetit apo anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror largohet nga vendi i tij dhe nuk është më në gjendje të kthehet pasi ka frikë dhe kjo frikë po bëhet epidemike…
Çdo refugjat është një emigrant, por jo çdo emigrant është refugjat. Konventa e Refugjatëve të vitit 1951 imponon disa detyrime ndaj shteteve në lidhje me trajtimin e refugjatëve. Megjithatë, detyrimet kryesore janë shumë të vjetra dhe rrjedhin nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokument i rëndësishëm që riafirmon dinjitetin njerëzor për të gjithë. Për shembull, në nenin 14 thuhet se : Kushdo ka të drejtën të kërkojë në vende të tjera azil me arsyen: Frikë nga persekutimi.
Refugjat është person jashtë vendit të tij dhe është në pozitë që nuk mundet, ose nuk dëshiron të gëzojë mbrojtje nga ai vend.
Numri i njerëzve që kanë lënë shtëpinë e tyre në kërkim të një pune ose një jete më të mirë në nivel global dhe ndaj rreziqeve si : rënies ekonomike ndërkombëtare dhe krizës në tregje si varfëria, stigmatizimi, diskriminimi dhe abuzimi , sipas një studimi nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, pritet të arrijë në 405 milionë deri në vitin 2050, ose 7% të popullsisë së botës.
Mbi 30% e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit. Edhe pse gjithmonë për këtë çështje ka pasur debate, veçanërisht sa herë që vendi gjendej në prag zgjedhjesh, sipas të dhënave të publikuara nga faqja zyrtare e analizave të emigracionit në botë “Peoplemov”, rreth 32.5 për qind e shqiptarëve jetojnë në emigracion. Në raportin e fundit të emigracionit thuhet se popullsia brenda Shqipërisë është 2 986 952 shtetas, ndërsa 1 438 451 shqiptarë të tjerë jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Sipas “Peoplemov”, pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë si emigrantë në Greqi, rreth 676 846 të tillë. Pas Greqisë, një tjetër vend i preferuar për të jetuar nga shqiptarët është Italia, ku numërohen 522 647 emigrantë nga Shqipëria. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh jetojnë në disa shtete të tjera, si: Maqedoni, SHBA, Gjermani, Kanada, Turqi, Britani e Madhe, Francë dhe Australi.
Duke parë masën e madhe të emigrimit janë piketuar (cilësuar) dhe vendet kryesore ku pikësynojnë si emigrantët e ligjshëm dhe refugjatët. SHBA, Angli, Francë, Gjemani, Zvicër, Kanada, Spanjë, Australi, Zelanda e Re janë vendet ku synohet nga të gjitha kategoritë e emigrantëve.
Emigrimet e Popullit Shqiptar në masë të gjerë ndodhën në shekullin XV me arbëreshët.Vazhduan me lëvizje më të vogla në shekujt e tjerë.Rifilluan përsëri me hyrjen në ambasada rreth 5000 shqiptarë në ’90…vazhduan në ’91 me eksodin e marsit dhe atë në muajin gusht ku në anijen Vlora hipën 20.000 shqiptarë drejt Italisë.
Eksodi vazhdoi masivisht nga mali drejt Greqisë dhe me gomone përmes Otrantos.U prehshin në Paqe viktimat e këtij eksodi të pandalshëm të këtyre 31 vite tranzicioni.Një pjesë u rikthyen për të investuar…Firmat piramidale,shembja e tyre në ’97 solli një eksod të ri.Në vitet 2002 e këtej filluan të rikthen përsëri emigrantët duke investuar biznese apo duke ardhur dhe ndërtuan shtëpi këtu.Pas vitit 2015 filloi një lëvizje tjetër masive e shqiptarëve të pashpresë…drejt perëndimit.Çdo vit ikin mbi 50.000 shqiptarë të aftë për punë.
Zemë vendin e parë në botë me nr e emigrantëve jashtë në raport me popullsinë.Vendin e parë në Europë si azilkërkuesë…
Në 8 dhjetor 2010 Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe Ministrive së Brendshme të BE vendosi heqien e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.Pas kësaj dt shqiptarët lëvizën lirshëm në 27 shtete të zonës Shegen.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kanë emigruar dhe dëshirojnë të emigrojnë i përkasin moshës 20-24-vjeç (49 %) dhe 15-17 vjeç (42,7 %).
Emigracioni solli dhe krijimin e një elite.
Ndihmat e tyre janë si në sektorin e investimit dhe në atë të mirëqenies së familjeve të tyre të origjinës, duke sjellë dhe ndihmesa të konsiderueshme në investimet e biznesit privat. Një kontribut të rëndësishëm emigrantët shqiptarë e kanë dhënë dhe në krijimin e një ure lidhëse mes biznesit të huaj dhe atij vendas duke sjellë një eksportim të konsiderueshëm të eksperiencës botërore. Emigracioni solli dhe krijimin e një elite me aftësi të veçanta në ndërtim,industri,bujqësi, në art, sport, letërsi e shumë sfera të tjera.
Shteti shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh. Midis problemeve të tjerave, shteti shqiptar po jep shembullin më të keq përsa i përket emigracionit shqiptar kudo ndodhur, që kohët e fundit është bërë problemi kryesor në axhendën e BE. Emigracioni ka nevojë për të, jo për bukë dhe ujë. Administrimi sa më i drejtë i emigracionit kërkon padyshim edhe kushtet normale.
Shumica e të hollave të emigrantëve transferohen nga vendet e pasura në ato të varfra. Për të përfituar edhe më shumë, Banka Botërore u ka propozuar vendasve në zhvillim, që të nënshkruajnë marrëveshjen me shtetet ku ndodhen emigrantët e tyre . Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, emigrantët mund të dërgojnë më lehtë të holla në atdhe si edhe të gjejnë më shpejt punë në vendet ku ndodhen. Sepse emigrantët janë të dobishëm edhe për vendet ku punojnë : “Transferimi i të hollave nga emigrantët, financon nga njëra anë eksportet e shteteve të industrializuara, sepse vendet në zhvillim kanë kështu më shumë të holla në dispozicion për të importuar artikuj nga këto shtete. Nga ana tjetër transferime të tilla influencojnë në mënyrë pozitive kursin e këmbimit”, thotë Florian Vadean, këshilltar pranë Bankës Botërore. Transferimi i të hollave rrit jo vetëm fuqinë blerëse në një shtet, por edhe besueshmërinë e tij për kredinë. Në çdo vend ku ndodhen transferime të rregullta, institucionet financiare mund ta lirojnë aksesin për kapital dhe t’i ulin taksat për dhënien e kredive. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë dërgesat e emigrantëve shqiptarë në vendin e tyre janë rritur nga viti në vit. N.q.s në vitet 1996-2000 ata dërgonin 650-850 milion dollarë në vit, viti 2007 shënoi suksesin më të madh të dërgesave duke i kaluar 1 miliardë dollarët. Pas vitit 2010 shënoi një rënie.
Sot mbi 5000 të rinj e të reja shkojnë çdo vit jashtë për studime universitare…po ikin ekselentët e Shqipërisë.
Ndihma e shtetit shqiptar është inekzistent karshi emigrantëve.
Shteti shqiptar duhet tju krijojë lehtësira fiskale emigrantëve që vijnë të investojnë në Shqipëri duke i lenë vite të tëra pa i taksuar siç po bëjnë shtetet fqinje për të rikthyer shtetasit e ikur jashtë.Emigrantët janë organizuar vetë në shoqata kudo në botë.Shpesh nisin dhe ndihma të organizuar drejt Popullit shqiptar.Qeveria shqiptare komunikon me këto shoqata vetëm para votimeve duke vendosur autobuza falas për hir të votave.
Duhet patjetër të gjendet zgjidhja që këta emigrantë të votojnë atje ku janë për zgjedhjet në Shqipëri.Eurot dhe dollarët ia u duam Atyre kurse të drejtën e zgjedhjes në Shqipëri joo !
Respekt dhe mirënjohje emigrantëve kudo ku ndodhen, Zoti qoftë me Ju në çdo hap !
*Jorgji SIDHERI*

@
@NewsIn.Al

