Nga perlat e Agim Xhafkës…”Burri që shiste misra”
O burrë,boll me pesë misra të pjekur në ditë se dy veta jemi,më foli e nxehur ime shoqe. Kishte të drejtë. U bë një javë që vij duarplot në shtëpi. Misra të njomë,të shijshme mjaltë. I pjek një familje te cepi i pallatit. Burri në mëngjes,gruaja mbasdite. Në darkë vjen sërish burri. Merr në një dorë zgarën e vogël prej teneqeje e në sup hedh thesin e qymyrit.
Ka dy muaj që i shoh atje. Të ngulur te stoli i vogël. Me duart mbi zjarr e mbi misra. I xhveshin sikur numërojnë hallet. Me sy te kalimtarët. Duke qeshur e duke pritur.
I kundroj nga larg. Gëzohem kur dikush ble një a dy copë. Atëhere kur shoh që shtrihen rradhë,kërcasin nga pjekja në zjarr,afrohem e porosis:
⁃ Pesë,mbështilli me lëpushkat e veta..
Burri ose gruaja sa dëgjon këtë porosi skuqet sikur do e xhirojnë për film. Ka emocion. Me paratë për ato misra mbase ble bukë,domate,vezë a fletore për fëmijët.
Sa m’i bën gati i fut të gjitha në një qese e i zbraz në kuzhinë.
-Mos na sill më,-m’u lut gruaja.
Dola e te rruga pashë zonjën mbi zjarr. Harrova ç’më tha ime shoqe.
-Pesë!-i thashë.
Sa i mora më ngeli qesja në dorë. Në shtëpi nuk mund t’i çoja. E gjeta zgjidhjen,do ia çoj hallës. E rrugës bëra planin e javës. Nesër xhajës,pasnesër Bertit,shokut tim,të enjte xha Llazit,të premte berberit,të shtunë…
Nuk u le vetëm,i fola nga larg atij çiftit që mes zjarrit trazonte misrat e xhveshur me duart e pjekura. Çdo ditë do ua ble pesë. Shpejtova hapat që halla t’i hante të ngrohtë.
Agim Xhafka
@NewsIn.Al

