“Një milion dollarë për reçipetat”, Jutta Leerdam ndez sërish Milano-Cortina
Jutta Leerdam mbetet në qendër të vëmendjes në Milano-Cortina 2026. Pas medaljes së artë në 1000 metra dhe argjendit në 500 metra, 27-vjeçarja holandeze e patinazhit të shpejtësisë po bën lajm për një marrëveshje milionëshe me një markë të njohur veshjesh sportive.
Imazhi i saj triumfues në vijën e finishit, me zinxhirin e kostumit të hapur dhe reçipetat e markës në dukje, u ripostua nga vetë gjigandi botëror – sponsori i saj prej vitesh – në një profil Instagrami me mbi 300 milionë ndjekës. Një operacion marketingu që mund t’i sjellë sportistes holandeze mbi një milion dollarë.
Lotët që i rrëshqisnin në fytyrë Juttës, me grimin e prishur pas garës, janë kthyer gjithashtu në frymëzim për marka holandeze të lidhura me industrinë e make-up-it dhe mund të hapin rrugën për bashkëpunime të reja fitimprurëse.
Kështu, Leerdam “kalon në arkëtim”, pas polemikave për avionin privat me të cilin mbërriti në Milano, thashethemeve për fejesën me boksierin dhe influencerin Jake Paul, si dhe kritikave të ardhura në atdhe nga ish-futbollisti Johan Derksen:
“Ajo jeton tashmë si milionere, jo si një atlete që merr pjesë në Lojërat Olimpike. Po të isha trajneri i saj, nuk do ta toleroja këtë mënyrë të tmerrshme sjelljeje. Holanda po fillon të lodhet nga sjellja e saj”.
Jutta Leerdam është ylli i rrjeteve sociale në Milano-Cortina 2026. Patinatorja holandeze, kampione olimpike në 1000 metra në patinazh shpejtësie, ka gjeneruar “vetëm ajo deri më sot mbi 100 milionë ndërveprime (engagement)”, bëri të ditur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar gjatë një konference për shtyp në Main Media Center.

@NewsIn.Al

