Njerëzit bëjnë vitet apo vitet bejnë njerëzit? *(Petrika Tollkuçi)*
Iku edhe një vit, një tjetër sapo trokiti. Shprehja që rëndom themi në këto raste është : “Si iku kështu ky vit, nuk e kuptuam fare?”. Kështu kemi thënë edhe për vitet e tjera që ikën, kështu do të themi edhe kur të ikë ky vit që sapo trokiti e me rradhë, e me rradhë. E rëndësishme është që nga vitet që i kalojnë stafetën njëri tjetrit natyrshëm, të mbajmë mend diçka, të na ngelet diçka në kujtesë. Të mos jetë viti që të na marrë në rrjedhën e tij ditore, javore, mujore, por të jemi ne që me daltën e kohës të gëdhendim veprën njerëzore ndër vite që ata që do të vijnë të na kujtojnë dhe të ecin në gjurmët e të parëve. Ta përdorin veprën e të parëve si një etalon, si një busull e pagabueshme dhe e mirë orientuar për të ecur përpara. Mos themi që nuk mbajmë mend asgjë nga jeta që kemi kaluar. Në zhargonin e jetës së përditshme janë disa shprehje si “Bëmë edhe një herë nuse dhe di unë si do nusëroj” apo “Bëmë edhe një herë dhëndër dhe di unë si do dhëndëroj”. A do të mund ta shtrinim efektin e këtyre shprehjeve në kontekstin e viteve? Pra a mund të thoshim “Ta kthej edhe një herë këtë vit apo atë vit dhe do di unë si ta jetoj?”. Është absolute se në të njëjtin ujë nuk mund të lahesh dy herë dhe gjithashtu se kohën nuk e kthejmë dot prapa. Nxitojmë të themi Gëzuar për vitin që sapo trokiti, pa bërë llogarinë nëse vitin që iku, hapat që hodhëm përgjatë kohës që ai vit na dhuroi ishin të duhurit, dhe të sigurohemi që gjurmët që lamë do jenë të dukshme dhe fshesa e kohës mos i fshijë, që pasardhësit tanë të ecin të sigurt në trasenë e rrugëtimit të tyre. Mbaj mend urimin “Gëzuar dhe një vit i mbarë qoftë” që kur kam qenë fëmijë, urim i cili ka vazhduar periodikisht kur viti paraardhës i kalon stafetën atij pasardhës. Nxitojmë, rendim në rrugën me një kalim që quhet jetë përgjatë etapave të saj që quhen vite, por mendoj se në ndonjë stacion përgjatë këtij rrugëtimi duhet të ndalojmë dhe ti bëjmë pyetjen vetes “Njerëzit bëjnë vitet apo vitet bejnë njerëzit?”. Unë bëra një ndalesë sot dhe shkrova disa mendime që më erdhën natyrshëm në këtë ditë të kalimit të stafetës me bindjen se ne njerëzit bëjmë vitet. NGA MOT GËZUAR TË GJITHËVE!
@NewsIn.Al

