NONDA BULKA përshkruan strukturën shoqërore të Korçës në vitet ’30, bazuar tek … biletat e kinemasë.
Cila ishte struktura shoqërore e qytetit tonë në periudhën ndërmjet dy luftërave?
Këtë na i thotë shumë bukur Nonda Bulka, në një artikull të tij me titull: Në “Kinema me publikun”, tek “Gazeta e Korçës”, 23 dhjetor 1933.
Shënim: Për të kuptuar sa më mirë përshkrimin e N. Bulkës duhet imagjinuar, arkitektura e brendëshme e kinema Moravës së dikurshme (ish Mazhestik) në Korçë të cilën e arriti brezi jonë, të paktën kështu: anash ishin llozhat, përballë ekranit ishin ballkonet, poshtë platoja (salla) dhe sipër në majë, aty ku dilte drita e filmit tek xhirohej dhe që projektohej pastaj në ekran, ishte galeria.
“Ndahet më katërsh kallaballaku [masa] që vjen të shikojë fytyrat e pëlhurës [ekranit]… Në galeri djemt me kasqeta, ata që grushti i fatit i ka hedhur në gropën e fukarallakut… Ballkoni është vendi i beqarëve afendikonj. Gjithë ata që jetën e lozin nëpër duar, që s’dinë edhe ç’është djersa e atit kur nxjerr kafshitën… Llozha! Gjithë aristokracia ose gjysmë afendikonjtë, gjithë ata që e kanë pak a shumë festen mi sy… janë nëpër llozha. Llozha nuk piqet kurrë me galerinë. Kurse ballkoni çeku piqet. Një djalë që martohet hidhet nga ballkoni në llozhë… Dhe më në fund salla! Salla është një farë enciklopedie sepse përmban studentë, zanaçinj dhe ata që pak a shumë e kanë xhepin të hollë… Salla ka shumë marrëdhënie me galerinë, kurse afendikonjtë e llozhave e vështrojnë njerinë e sallës me sy të vëngër.”

Nxjerrë nga: “Korça Encyclopedica” 8/10, botues Ilia V. Ballauri ©
@NewsIn.Al

