Monday, January 19, 2026
spot_img
HomeAktualiteti“Nuk duam denoncime nga ty, përndryshe do të zhdukim familjen”…biznesmeni rrëfen pengmarrjen!

“Nuk duam denoncime nga ty, përndryshe do të zhdukim familjen”…biznesmeni rrëfen pengmarrjen!

Biznesmeni Gerond Meçe, në dëshminë e tij përpara prokurorëve të SPAK, ka zbardhur me detaje çfarë ndodhi gjatë 5 orëve të pengmarrjes, në një ngjarje të rëndë që lidhet me procedurat e prokurimeve publike dhe ankimimet pranë AKSHI-t dhe KPP-së.

Detajet janë bërë publike në emisionin “Në Shënjestër”, ku u transmetuan pjesë nga dosja hetimore. Sipas dëshmisë së Meçes, personat që e kishin marrë peng përdornin telefonin e tij për të komunikuar përmes WhatsApp-it me administratorin e kompanisë, duke ushtruar presion për tërheqjen nga procedurat dhe ankimimet.

Për të ulur dyshimet e familjarëve, pengmarrësit e lejuan Meçen të fliste me bashkëshorten, të cilës i tha se ishte mirë dhe se kishte disa punë. Ndërkohë, telefoni i tij binte vazhdimisht nga vëllai, të cilin ai e udhëzoi të komunikonte me administratorin e kompanisë.

Gjatë kohës që mbahej i prangosur në makinë, Meçe kuptoi se dy nga personat që e ruanin ishin nga Elbasani, bazuar në dialektin e tyre, dhe se njëri prej tyre sapo ishte bërë baba. Pengmarrësit pyesnin vazhdimisht për ecurinë e procedurave, ndërsa sipas dëshmisë, rreth orës 15:10 ende nuk kishin marrë konfirmim për tërheqjet.

Biznesmeni dyshon se lirimi i tij, rreth orës 16:20 të datës 12 gusht 2025, ndodhi vetëm pasi u mor konfirmimi se kompania e tij ishte tërhequr nga procedurat në sistemin e KPP-së. Ai shprehet se kjo nënkupton se personat që organizuan rrëmbimin kishin lidhje apo autoritet brenda KPP-së, që mundësonte verifikimin në kohë reale.

Në dëshminë e tij, Meçe përmend edhe emrin e një anëtari të KPP-së, i cili sipas tij është i lidhur me biznesmenin Ermal Beqiri, me të cilin Meçe deklaron se kishte konflikte të vazhdueshme në fushën e operimit.

Megjithëse orët kalonin, pengmarrësit nuk e lironin, duke pritur garanci që familjarët e tij të mos bënin kallëzim në polici. Para lirimit, sipas Meçes, ata i përmendën në mënyrë kërcënuese bashkëshorten dhe fëmijët.

Pas një ndryshimi të papritur itinerari gjatë rrugës, pengmarrësit e lanë biznesmenin pranë rrethrrotullimit të autostradës Elbasan–Tiranë, duke e kërcënuar rëndë që të mos bënte denoncim, përndryshe do të rrezikohej jeta e tij dhe e familjarëve.

Meçe u la në mes të rrugës pa telefon, pa para dhe pa sendet personale, përfshirë laptopin, të cilat nuk iu kthyen as më pas. Vetëm rastësisht ai arriti të kthehej në Tiranë me një automjet të kompanisë së tij.

Pas kthimit në zyrë, ai konstatoi se ishin kryer më shumë tërheqje nga procedurat, sesa ato që i ishin treguar nga pengmarrësit. Administratori i kompanisë kishte tentuar fillimisht dorëzimin fizik të dokumenteve në KPP dhe AKSHI, por kjo ishte refuzuar, duke e detyruar të kryente tërheqjet përmes sistemit elektronik, proces që përfundoi rreth orës 15:00.

Në përfundim të dëshmisë, Gerond Meçe shprehu bindjen se strumbullari i gjithë skenarit ishte biznesmeni Ermal Beqiri, i cili sipas tij kishte lidhje të forta brenda AKSHI-t dhe marrëdhënie të afërta me Ergys Agasin, duke shtuar se këto lidhje dokumentohen edhe në pamje filmike.

Hetimet e SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments