-Nuk e shtyn dot Paskali në Tiranë,-i thashë gruas.
Ajo e ka kushëri të parë e do që ai të rrijë patjeter në kryeqytet. Se shkojmë e vijmë,bëjmë muhabet,organizojmë dreka e darka,shkurt kënaqemi.
Por ja që sot më doli fjala. Paskali e la shtëpinë që bleu në Tiranë dhe iku bashkë me gruan në Prodan,në fshatin e tij,në Kolonjën e bukur.
-Nga e dije ti,apo ta tha ai vetë,-më pyeti gruaja.
-Jo,nuk më tregoi gjë. E kuptova.
-E si?
-Të kujtohet para dy javësh që ishim tek varrimi i xhaxhait tënd? Atë ditë bënte shumë ftohtë. Dhoma ku vinin burrat për ngushëllim ngrohej me kondicionier. Ne në fshat ngrohemi me dru,më tha Paskali. Kemi një sobë të madhe me pllakë gize sipér. Na nxeh e na kënaq. Se druri kur digjet të gostit edhe me aromë. Ja,p.sh.ahu sjell erën e jugut mbushur me tërfil e jonxhë të sapombirë. Koçimarja të gostit me aromën e çajit të Gramozit,duket sikur sa ke vënë ibrikun mbi zjarr. Edhe lisi sjell plot aromë,por jo lisi i rritur atje ku nuk e kap dielli. Ai edhe tymin e bën gri dhe ajrin e ndot.
-Dhe?- më pyeti gruaja.
-Dhe dukej që po e kullufiste malli për fshatin,po e térhiqte me ëndërra,me aroma,me zhurma dhe vegime. Sa e dëgjova e pyeta në do kthehej sërish në vendlindje. Nuk nxori zë,por lëshoi përgjigje me sy. I ndritën si maçokut tonë kur kthehemi nga puna. Që na fërkohet e na tregon sa na do e sa mall ka.
Iku Paskali. Nuk ka qytet bote që ia del fshatit të tij,fshatit që ngjet si një grua shtatzanë mbushur me kujtime,me plot të mira dhe pengje. Fshat që “pjell” në çdo stinë…

NewsIn. Al

