“Paketa e Maleve” – iniciativë me potencial, por me rreziqe reale nëse nuk bëjmë hapat e duhur!
Miratimi i VKM-së për “Paketën e Maleve” në vitin 2023 ka ngritur shqetësime legjitime në lidhje me mënyrën dhe kohën e zbatimit.
Së pari, kjo nismë ka hyrë në fuqi pa u mbështetur në një Strategji Kombëtare të Turizmit 2026–2030 dhe pa një Masterplan të detajuar Zhvillimor për zonat malore, çka e bën të mungojë një vizion i integruar dhe afatgjatë.
Së dyti, një pjesë e madhe e bashkive malore nuk disponojnë kapacitetet e nevojshme teknike – urbanistë, ekspertë turizmi apo specialistë të trashëgimisë kulturore. Në këto kushte, delegimi i përgjegjësive komplekse për studime dhe projekte zhvillimi rrezikon të prodhojë vendimmarrje të dobët dhe të paqëndrueshme.
Përpara çdo ndërhyrjeje, është e domosdoshme që:
• Të rriten kapacitetet teknike të bashkive, duke i bërë ato aktorë realë dhe të përgjegjshëm në proces;
• Të hartohen standarde të qarta dhe strikte ndërtimi, për të ruajtur identitetin dhe karakterin lokal;
• Të realizohet një zonifikim i detajuar ekologjik dhe turistik, që garanton balancën mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës.
Në të kundërt, rrezikojmë të përsërisim modele të dështuara zhvillimi dhe të përballemi me një fenomen që mund të quhet pa hezitim: “Golemizimi i Maleve”.
Zhvillimi i qëndrueshëm i zonave malore kërkon ekspertizë të thelluar dhe qasje profesionale, që mund të garantohet vetëm përmes instituteve studimore dhe specialistëve të fushës – jo përmes improvizimit në nivel lokal.
Diskutimet në panel, më lanë një shije të keqe për nga niveli i kuptimit të një ligji transformues të zonave më me vlerë, që kanë shpëtuar akoma nga babëzia e tranzicionit Shqiptar!
Zak Topuzi
@NewsIn.Al
