Kryeministri Edi Rama vuri në tryezën e çdo socialisti dokumentin “Prania besnike”, anekse i platformës “BESA”, dhe bashkë me të edhe paralajmërimin për ndryshim të mënyrës së qeverisjes.
Gjatë takimit me kryetarët e degëve të PS dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Rama kërkoi transformim rrënjësor të mënyrës se si kabineti qeverisës dhe gjithë strukturat socialiste do të qasen ndaj qytetarëve tani e tutje.
“Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse. Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.
Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë. Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre. Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: “asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti”.
Prandaj mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe ne duhet të bëjmë çmos që të mos jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme. Mandati i katërt duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe, jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do të kapërcejë kufirin e 30 miliardë eurove në vit, çka në vetvete përbën një kthesë për ekonominë, por edhe sepse ky, për Partinë Socialiste, duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore; nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie”, tha Rama.
@NewsIn.Al
