Për gjithë ata që kujtojnë fëmijërinë rrugicave të Korcës, për djemtë e mi që e kaluan fëmijërinë tek Lagja 1, ” Lidhja e Prizrenit” (ku kalldrëmi është zëvendësuar….)-*Mirela Plasa Qeleshi*
RRUGA NËN ASFALT
Oh, këtë rrugë e paskan asfaltuar!
Dikur, mbuluar me kalldrëm ka qenë.
Mbi gurët e vjetër, të kalldrëmit të saj
Gjith’ ditët e fëmijërisë kam lënë.
Ç’e desha këtë rrugë të ish si dikur,
Me gurët e bukur edhe qoshet plot bar,
(Gurët që unë, me sandale lëmova)
Dhe sofatet e rëndë siç ishin më parë.
Befas, një mall i ëmbël zemrën ma pushton ,
Tek çapitem mbi asfaltin e lëmuar.
Të përshëndes, o rruga ime e dashur!
Po ti s’përgjigjesh… vërtet s’po më njeh mua?
Edhe unë kam ndryshuar kaq shumë
Ti ndoshta pret të më shohësh si më parë:
Vogëlush me pantallona të shkurtra,
Me bluzë të zbërthyer dhe gjunjë të vrarë.
Sa vite shkuan, sa paskemi ndryshuar
O rrugëza ime e vjetër me gurë!
Ja, pra, ti qenke bërë një goxha zonjë!
Dhe unë, prej kohësh tash, jam bërë burrë.
Por në kemi një ndryshim:
Ata gurë e vite që ti fsheh nën asfalt,
Unë, s’do të mundem t’i fshij nga kujtesa
Dhe mbi ditët e kaltra të fëmijërisë,
Asfalt s’mundet të më hedhë harresa…
Artur Balli.
@NewsIn.Al

