Gjithë të moshuarit e pallatit në Korçë i kishim të lezetshëm. Qenë mjaft të dashur me ne e nga që ishin të pa zënë me punë kalonim plot orë sëbashku.


Ja,Ilovica,gruaja e taksixhiut Ilo,e thërisnim kështu se emrin e kishte pak të çuditshëm,Nausika,andaj nuk na ngjiti,na merrte me vete gjithë fëmijët,na çonte te Shëndëllia kur qe maj a qershor dhe me tulin e bukës na qeraste me topa. I bënte sa grushti i saj,fuste ca thërrime djathi brenda e ç’të haje. Edhe sot goja më lëshon lëng. Më kujtohet dhe e mira Aspasi. Te shkallët e pallatit me macen e saj plot lara. Ose do i fliste,ose do e férkonte te kurrizi. E kur i aviteshim na tregonte përralla,asnjëherë të njëjtën. Besoja se ishte shumë e lexuar,por nëna më tha se ajo nuk dinte shkrim e këndim. Atëhere paska qënë shkrimtare e lindur. Po të sprovonte të shkruante do i hidhte tuç vëllezërit Grim.
Në zemër na kishte dhe Nerënxa. Me një këmbë protezë pranonte të na arbitronte futbollin mes mëhallave,por me kushtin që t’i frynte bilbilit nga ballkoni i saj në katin e dytë.
Pleqtë dhe plakat e pallatit tani janë mbledhur së toku te lëndina në varreza. Nuk dyshoj se kur atje s’ka njerëz të gjallë rrotull ata flasin pér ne,për kalamajtë,që nuk na kishin gjak ama na donin siç donin niperit e mbesat e tyre.
Dje mbasdite,kur me gruan po ecja shëtitje rreth stadiumit,më erdhi ndér mend xha Andoni,ose Kaçandoni si e thirrnim. Kam një bistori të bukur me të,i fola gruas. Ajo nuk e hapi gojën të thosh po ose jo se unë ia nisa.
Xha Andonin e mbaj mend që dashuronte peshkimin. Kaq fliste për të sa sot nuk kujtoj ku ka punuar ai njeri i mirë. Rreth tij na mbante përherë me muhabete peshqish. Hodha grepin këtu,më doli peshku atje,u futa në ujë mes dimrit se grepi më ngeli poshtë shkëmbit,trofta të lodh në peshkim,po të shlodh në gatim… Sajonte aventura e ne gojë hapur ndiqnim fillin e fjalëve. Në fund e mbyllte,dua të kap një ngjalë të madhe e pastaj le të vdes. Nuk e kishte shijuar një ngjalë te grepi i tij. E nga që e përmendte shumë mendoja se dhe ëndérrat xha Andoni i shihte me ngjala.
Unë pér vete nuk kisha parë ngjalë me sy. Babai nga pazari na sillte veç ca cironka dhe gjyshja nga mamaja kur i blinte nuk i gatuante. I kriposte,i thante në tepsi e i shkonte në fije spango duke i bére vargje. Pastaj tundeshin me muaj te ashefi dhe i pérdorte si sallatë. Me qepë,vaj,ulliri dhe uthull. Me ca bukë të thekur,ç’të haje,thoshte ajo e nga nepsi i delnin vendit protezat e dhëmbëve. Kaq herë doja ta pyesja mësuesin e biologjisë të më tregonte një ngjalë nga librat e shumtë që kishte në laborator,por pérherë harroja.
Një ditë xha Andoni më tha se në se më lejonte babai ai më merrte për peshkim. Kaq dhe fluturova. Babai tha po,Andoni më dha një kallam të vjetër e më rregulloi grepin e filispanjën atje. Shkuam andej nga Turani për krimba. Gérmo e gérmo mbushëm një kuti.
Që në katér më zgjoi gjyshja. E kisha porositur mos më thonte peshkim të mbarë se më shkonte ters. Po harroi,te dera e tha urimin. E pashë me inat dhe vrapit poshtë shkallëve. Hipëm te autobuzi i Maliqit. Mbushur me punëtorë të kombinatit të sheqerit dhe ne,tre kallamat. Ishte dhe Nesti,fqinji ynë te pallati pérballë. Po nuk do rrinim bashkë. Gjuante veç se secili ka fatin e tij,e kishte parullën. Atje ku na la autobuzi e deri te lumi ishte distancë pesë minutshe. Kur hodhëm grepat dita feksi. Dielli po bëhej gati të kapérxente Moravën. Sytë i mbaja te kallami im. Lumi lëvizte,filispanja jo. Kur fap térhoqi xha Andoni grepin e vet. Në majë tundej një cironkë si prej argjendi. Qeshi dhe gëzimi e përfshiu. Unë térhoqa kot kallamin tim. Në majë asgjë. E hodha prapë e pas ca minutash kapa tre herë rresht. Ndérsa xha Andoni një,mbeti te cironka e vetme. Më pas fati anoi nga ai. I béri dy,tre,katër,njëzet e gjashtë,njëzet e shtatë. Unë tre. Dreka po vinte se uria trokit e trokit. Sa do nxirrja një copë byrek të gjyshes kur shoh xha Andonin që u ngrit vrik e vértik,tërhoqi kallamin dhe te grepi pashë një gjarpér të zi që tundej e tundej. Andoni gérthiste me piskama të gjata si ujku kur i drejtohet hënës. Ajo skenë ishte një tmerr. Rrëmbeva një gur të madh,u hodha drejt gjarpérit,e kapa nga bishti,e vërvita te këmbët e Andonit dhe ia shtypa kokën me gur. Disa herë,pastaj me këmbë e shtyva drejt lumit. Ktheva sytë nga xha Andoni. Qe ngurtësuar i gjithi. Më shihte me habi dhe nuk fliste. Doja t’i jepja zemér,por ai u shkund. Më pérqafoi fort dhe gati me,lot në sy fliste ngadalë,rrofsh,rrofsh.
U kthyem vonë atë ditë. Qeses me tre cironka xha Andoni i shtoi 12 nga të vetat. I ke hak,më shpëtove jetën,më tha. Nëna dhe babai krenarë për birin peshkatar. Qysh atë darkë peshku u skuq dhe mora plot urime. Po lavdia qe të nesèrmen. Kur u tregova shokëve si shpétova xha Andonin nga gjarpëri i zi. Një pjesë thoshin,u bere gënjeshtar me një ditë peshkim,ca shkuan dhe pyetën xha Andonin. E ai u tha të vértetën. U bëra hero. Nisa ta zmadhoj gjarpérin. Nga një metér e çova dy metra. Atyre më të vegjëlve ua bëja tre metra. Në shtëpi nëna e babai më dëgjonin me sy të shqyer. Vëllai dhe motra me admirim. Ngjarja me gjarpérin kapërxeu kufijtë e mëhallës. Në shkollë gati ma vunë pseudonimin Muji i Vértetë. E kështu mes lavdisë ecja e ndjehesha mirë. Më donin më shumë mësuesit e shoqet e klasës. Këto shihnin te unë sigurinë nga gjithçka e zezë.
Ditët ecën bukur deri sa një mbasdite babai sa hyri në kuzhinë ma priti:
-Hë,mo ti i gjarpérit,si ndjehesh?
Kuptova që e kishte me tallje,ndaj sa do e pyeja ma tha:
-Ti pandeh se ia bëre gropën gjarperit,po në fakt ia hoqe ngjalën nga grepi xha Andonit.
Hiç s’po kuptoja.
-Ta kam treguar që ishte gjarpér dhe kaq i madh,-hapa krahët.
-Po kaq imadh ishte dhe qe ngjalë. Se ngjala dhe gjarpéri ngjasojnë si binjakët Golja dhe Muli. Ma tregoi Nesti. Dhe ai ishte aty me ju e tha që Gimi ia hoqi nga dora ngjalën xha Andonit.
E pashë me dyshim,mendova se tallej. Nuk kishte se si të qe njësoj gjarpéri me ngjalën. Nuk prita,me vrap te xha Andoni.
-Atë ditë unë të kam shkulur ngjalën nga grepi,jo gjarpërin?
-Nuk ka rëndësi,-më tha ai.
E paskam dhjerë muhabetin,thashë me vete.
-Po pse nuk ma the,pse nuk më bértite? Se ti e ke pasur ëndérr kapjen e një ngjale.
-Nuk të thashë se ti tregove aq dashuri pér mua sa nga brenda më erdhi urdhéri,respektoje çunin. Ti e dije gjarpér të zi,që të kafshon,të helmon,të vdes e nuk pyete. Mposhte tmerrin se doje të shpëtonja unë. E sheh se sa ke bërë për mua. Më peshkove zemrën,o bir.
Kaq dhe pasi më pérqafoi ai burrë plak nisi të gulçonte. Më kapi dhe mua ngashérimi. Rrinim të dy ashtu qafuar me të vértetën e secilit në mes…



#NewsIn. Al

