SHBA merr në dorë spastrimin e policisë nga efektivët e korruptuar dhe inkriminuar,ekspertë amerikanë “zbarkojnë” në…
SHBA merr në dorë spastrimin e policisë nga efektivët e korruptuar dhe inkriminuar, ekspertë amerikanë “zbarkojnë” në Tiranë dhe nisin trajnim 3-javor për agjentët e AMP
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në lëvizje, ndërsa kanë marrë një rol aktiv në spastrimin e policisë shqiptare, duke u angazhuar për të larguar efektivët e korruptuar dhe të inkriminuar. Një ekip ekspertësh amerikanë ka mbërritur në Tiranë për të nisur një trajnim tre-javor për agjentët e AMP, me qëllim përmirësimin e kapaciteteve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e rendit. Ky program përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të ligjit dhe rendit në vend. Ditën e djeshme, ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar se ICITAP ka nisur një kurs tre javor për 15 agjentë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me qëllim rritjen e aftësisë për të zbuluar mangësitë në zbatimin e ligjit nga efektivët e policisë. Sipas ambasadës, deri më tani janë trajnuar në total 160 oficerë.
“Sot, më 23 shtator, Departamenti i Drejtësisë i SHBA – ICITAP, në partneritet me Agjencinë Shqiptare të Mbikëqyrjes Policore (AMP), nisi një kurs trijavor për hetimin e krimit për 15 hetues të AMP në Ministrinë e Brendshme. Ky program, i konceptuar për herë të parë në vitin 2022, synon të rrisë aftësitë e Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në hetimin e krimeve, duke përmbushur standardet kombëtare. I mbështetur nga zyrtarë të lartë në qeverinë e Shqipërisë, ky kurs ka trajnuar tashmë mbi 160 oficerë dhe vazhdon të krijojë kapacitete në zbatimin e ligjit në Shqipëri. Ambasada e SHBA është krenare që mbështet këtë nismë për më shumë llogaridhënie nga policia në rrugën drejt integrimit në BE”, njoftoi dje ambasada e SHBA. Pra ky angazhim vjen si një përgjigje ndaj nevojës për një forcë policore më të besueshme dhe efektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Po ashtu, theksojmë se objekti i këtij trajnimi është hetimi i krimeve, sipas një moduli të standardizuar bashkëkohor dhe i miratuar tashmë nga Prokurori i Përgjithshëm.
Reagon ministri i Brendshëm
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të këtij trajnimi, theksoi mbështetjen e plotë për AMP-në dhe çdo institucion tjetër të varësisë, që do t’i nënshtrohen një procesi efektiv reformimi. “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë mbështetjen time më të fortë, duke rritur dhe forcuar më tej hetimet proaktive në luftë kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit”, deklaroi dje ministri Hoxha. Sipas tij, AMP duhet të jetë më dinamike në ushtrimin e funksioneve të saj dhe për këtë punonjësit e saj duhet të kenë përgatitjen e duhur. “Për të pasur një reformë të suksesshme, ndër të tjera kemi nevojë që AMP të jetë sa më dinamike në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të saj. Që të arrihen objektivat tona, duhet që punonjësit e AMP të kenë përgatitjen e duhur profesionale, integritetin dhe personalitetin e duhur”, nënvizoi ministri Hoxha. (Sot)
@NewsIn.Al