Autoritetet në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Një njoftim të tillë e ka bërë raporti i fundit i Radios Europa e Lirë, ndërsa e njëjta ka theksuar se marrëveshja është arritur gjatë takimit të këshilltarëve për viza të mbajtur në Bruksel, të martën, transmeton SchengenVisaInfo.com.
Më herët, Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian ka kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përfundojë më 1 dhjetor 2023.
Çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është diskutuar për herë të parë në mbledhjen e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.
Menjëherë pas takimit, u raportua se Franca propozoi që procesi i liberalizimit të vizave të Kosovës të lidhet me operacionalizimin e Procesit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS). Ky propozim u mbështet nga Belgjika, Suedia, Holanda, përfshirë dhe Spanjën.
Pas takimit të 13 tetorit, SchengenVisaInfo.com pyeti autoritetet në Spanjë nëse do të mbështesnin propozimin e Francës në takimin e radhës të grupit të punës që ishte caktuar të mbahej më 9 nëntor.
Por, Ministria e Jashtme e Spanjës tha se qëndrimi i vendeve të BE-së lidhur me këtë çështje do të sqarohet më 9 nëntor, duke mos dhënë asnjë detaj në lidhje me qëndrimin e tyre.
“Tema sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjekë procedurën e saj normale gjatë së cilës do të specifikohen pozicionet e shteteve të ndryshme anëtare,” tha për SchengenVisaInfo.com, Elena Aljarilla, nga departamenti i shtypit i Ministrisë së Jashtme të Spanjës.
Paraprakisht, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së ka njoftuar se ka mbështetur propozimin e Francës që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e ETIAS.
Për më tepër, Presidenca Çeke tha për SchengenVisaInfo.com se dëshiron të shohë një vendim pozitiv në Këshill deri në fund të vitit 2022 lidhur me këtë çështje. Po ashtu, Presidenca Çeke theksoi se dëshiron të shohë një afat kohor të miratuar se kur do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën.
Mirëpo, së fundi Spanja ka sugjeruar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të finalizohet më 1 janar 2024. Po ashtu, është raportuar se Spanja ishte ndër vendet që ka kërkuar më shumë sqarime lidhur me këtë proces së bashku me Suedinë dhe Sllovakinë.
@Newsin.al

