PËRSHKRIMI MË I HERSHËM NË HISTORINË E NJERËZIMIT,
RRETH MËNYRËS SË PUNIMIT TË TOKËS.
ILIADA E HOMERIT
Nga Ilia V Ballauri
Hektori, pasi vrau Patroklin i cili pati dalë në fushëbetejë i veshur me armatimet e Akilit, e zhveshi pastaj atë lakuriq duke i marrë atij gjithçka por sidomos mburojën aq të famshme.
Ndërkaq, Akili i cili që në fillim të eposit, Iliadës, pas grindjes, mërisë me Agamemnonin ishte tërhequr prej beteje, vendos tani të hyjë në luftë, mbi të gjitha duke kërkuar shpagim për Patroklin. Si bir i perëndisë Theti, që ai ish, kjo [Theti] i kërkoi perëndisë Hefest që t‘i përgatitë atij një mburojë tjetër, të re.
Dhe ky i farkëton një të tillë që nuk ishte parë kurrë ndonjëherë. Mbi mburojë skaliti lloj lloj skenash të cilat kanë mahnitur lexuesit e Iliadës në shekuj. Në to nuk mungojnë edhe skena që lidhen me bimët dhe natyrën.
Gjithashtu, në këto vargje, jepet edhe dëshmia e parë, më e hershme në kulturën e kontinentit Evropian, lidhur me historinë e shkencës së bujqësisë (apo artit të bujqësisë, siç e quan këtë fushë të aktivitetit njerëzor, Sokrati). Tek përshkrimi i mburojës së Akilit, Homeri jep një skenë ku flet për punimin e tokës. Me këto vargje, do të mund të fillonte çdo traktat shkencor që do të mund të përpiqeshe të analizonte historinë e shkencës së tokës, pra pedologjisë apo të fitoteknisë d.m.th. shkencën e kultivimit të bimëve në përgjithësi etj, etj.
Le t’i dëgjojmë:
———–
[… pendët e lërimit duke i ngarë …]
…
Skaliti, një tokë djerrë,
të butë, tokë të pasur,
shumë të madhe, tre-herë lëruar për të mbjellë.
Në të paraqiteshin,
shumë bujq, pendët e lërimit duke i ngarë,
duke ardhur poshtë e lart, nëpër arë.
Këta sa herë që tek,
ngisnin pendët dhe i vinin arës, aty ku kjo mbaronte,
atëhere, atyre u afrohej një burrë që u ofronte,
u jepte në duar,
një kupë verë të ëmbël mjaltë që s’kish të përshkruar.
Dhe ata u ktheheshin brazdave, piksynimit pastaj,
që arës djerrë, shtresëthellë, t’i dilnin në tjetrin skaj.
Nga prapa toka e lëruar,
nxinte,
dukej një tokë gati për tu mbjellë, për tu kultivuar,
por jo, ishte ar,
gdhëndje madhështore kjo në mburojë, një gjë e paparë.
—————
Vetëm një mëndje si Homeri, me forcë për të organizuar përmëndësh disa dhjetra mijëra vargje, do të mundte që ta çelte, kaq bukur historinë e shkruar të bujqësisë, kur e fillon këtë nga plugimi, pra punimi i tokës.
Pas këtyre vargjeve të Homerit, thuajse për tetëqind vjet, bujqësia konsiderohet si fusha ku u punua dhe u filozofua krahasimisht më pak nga mëndjet e ndritura të lashtësisë. Pak u shkruajt për të. Vetëm tre të ditur folën rreth saj gjërësisht, Hesiodi në shek. 7-të para Kr., Ksenofonti në shek. 5-të para Kr. dhe Theofrasti në shek. 4-të para Kr.
Ndërkaq në këtë periudhë pastaj, indirekt për bimët, kanë folur edhe Hipokrati dhe Aristoteli.
————-
Nxjerrë nga: “Mburoja e Akilit, dhe kulmime të tjera prej Iliadës së Homerit”
Përgatiti, shqipëroi vargjet homerike, plotësoi me sqarime, shënime, komente, analiza, esè, etj: Ilia V. Ballauri ©
Bot. Kotti, 2013, fq. 164 – 165
@NewsIn.Al

