Rilindja Urbane 2 në Pogradec: kthim në normalitet apo pranim i anormalitetit?
Rilindja Urbane 2 në Pogradec u konkretizua së fundmi me një aksion të IKMT-së për çlirimin e trotuarit përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Pojskës”, një zonë që prej vitesh ishte privatizuar në mënyrë të paligjshme nga interesa individuale. Tani po flitet për “kthim në normalitet”, por ky është një kthim që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Sepse për të rikthyer normalitetin, do të thotë që për një kohë të gjatë qytetarët janë detyruar të pranojnë e të jetojnë brenda një anormaliteti.
Pyetjet lindin natyrshëm:
Si shpjegohet që biznesmeni shqiptar ndërmerr investime të konsiderueshme në prona që nuk i zotëron, pa asnjë garanci, pa asnjë dokument të ligjshëm?
Pse një pjesë e sipërmarrjes bie me aq lehtësi në konflikt me interesin publik, duke e sfiduar edhe në gjëra bazike e utilitare, si e drejta për të ecur lirshëm në një trotuar?
Po publiku?
Pse qytetari është kaq i nënshtruar, kaq fatalist, i bindur se nuk ka çfarë të bëjë tjetër veçse të pranojë faktin e kryer, produkt i njerëzve me oreks të shfrenuar dhe i zyrtarëve të korruptuar që mbyllin sytë, në këmbim të përfitimeve personale?
Të gjitha këto janë pyetje që shkojnë përtej një rasti të izoluar në Pogradec. Ato janë simptomë e një sëmundjeje më të thellë shoqërore dhe institucionale: të jetuarit në anormalitet derisa anormalja të bëhet e zakonshme. Kur një shkelje përsëritet mjaftueshëm gjatë, ajo nuk ngjall më indinjatë, përkundrazi, tolerohet, racionalizohet, madje edhe justifikohet.
Prandaj, edhe pse është për t’u përshëndetur fakti që më në fund shteti ndërhyn për të mbrojtur hapësirat publike, nuk duhet të gëzohemi me pak. Çlirimi i një trotuari nuk duhet të na emocionojë sikur po na falet një privilegj, është e drejta jonë. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është se sa gjatë kemi jetuar pa këtë të drejtë.
Dhe mbi të gjitha, nëse Pogradecit iu shkulën disa çibanë të vegjël pa leje, shpresa e vetme është që të mos lejohen më çibanët e mëdhenj, ata që, edhe pse me leje në dorë, kanë mbirë mbi themelet e pandershmërisë, mbi korrupsionin, mbi pazaret nën dorë dhe mbi heshtjen e institucioneve.
Rilindja urbane nuk duhet të jetë thjesht një operacion kozmetik. Ajo duhet të jetë një filozofi e re mbi hapësirën publike, mbi interesin kolektiv, mbi sjelljen qytetare. Në të kundërt, do të mbetet thjesht një fasadë që fsheh brenda saj të njëjtin realitet të kalbur.
Shpëtim Luku
@NewsIn.Al
