KreuAktualitetiPogradeci, vendimi që më ndryshoi jetën/ Nga Shpëtim Luku

Pogradeci, vendimi që më ndryshoi jetën/ Nga Shpëtim Luku

Pogradeci, vendimi që më ndryshoi jetën

Shumë miqve e shokëve të mi iu bën përshtypje fakti i postimeve të shpeshta që unë bëj nga Pogradeci.
“Hë mo, në Pogradec je”- pyet me humor dikush që më merr në telefon.
“Ngele në Pogradec”-“shpotit” dikush tjetër.
Kurse po më panë ndonjë fundjavë në Tiranë a në ndonjë plazh reagimi është i tipit habitor: çka ndodhur me ty që nuk qenke në Pogradec këtë fundjavë?! Tani është e vërtetë që unë postoj shpesh nga Pogradeci. Por nuk janë postime euforike, përkundrazi janë postime në harmoni me ndjesitë që përjetoj sa herë jam në këtë zonë. Por edhe nëse ka ndopak eufori në këto postime ajo lidhet me verifikimin e saktësisë së një veprimi të kryer prej meje.
Para pak më shumë se një viti, mua mu shfaq një mundësi: të blija një shtëpi në Pogradec. E pranova, por jo pa ngurrim. Nuk ishte një vendim i lehtë. Ishin ato llogaritjet e zakonshme që nisin të të vërtiten në mendje sa herë përballesh me një hap të madh, një përzierje dyshimi, arsyetimi të stërholluar, ndoshta edhe frike nga e panjohura.
Por sot, kur mendoj për atë çast, jo vetëm që e konsideroj si një nga vendimet më të mira të jetës sime, por ndiej edhe një ndjesi të çuditshme turpi për pasigurinë që pata atëherë. Turp për paaftësinë time për të imagjinuar sa pozitivisht mund të më ndryshonte jeta në një qytet si Pogradeci.
Sepse Pogradeci nuk është thjesht një vend pushimi. Ai është një stil jetese, një frymëmarrje ndryshe. Është përgjigjja që i mungon Tiranës, qytetit tim të përditshëm, por edhe të zhurmshëm, të ngarkuar, të ndotur, të paduruar.
Tirana të stërmundon me zhurmën, ajrin e rënduar, trafikun, betonin që mbulon çdo copë gjelbërim, me stresin e vogël por të përditshëm që ngjitet në trup pa e kuptuar. Ndërsa Pogradeci të jep qetësi, pastërti, natyrë të gjallë që të flet, hapësirë për të parkuar dhe për të jetuar. Ai nuk të bën më të pasur, por të bën më të plotë.
Dhe ndoshta pikërisht kjo është gjëja më e madhe që mora prej tij: një vetëdije të re për çfarë ka vërtet rëndësi. Sikur të mos e kisha bërë këtë hap, ndoshta do të vazhdoja të isha thjesht i “përshtatur” me jetën në Tiranë, me të gjitha kompromiset e saj. Sot, e di që cilësia e jetës nuk është luks. Është nevojë. Dhe Pogradeci ma dha këtë cilësi, me bujari dhe pa zhurmë.

Shpëtim Luku_ Qershor 2025

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit