Edhe një perspektivë e re për shqipen si gjuhë e huaj
Sot filloi semestri i verës në Universitetin e Regensburgut. Në nivelin e parë të shqipes kisha kënaqësinë të shihja sot plot 14 fytyra të reja që shndërrinin nga kurioziteti! Ajo që më bëri përshtypje ishte se këtë radhë më shumë se gjysma e të pranishmëve studionin degë mësuesie, si për shkollën fillore, ashtu edhe për gjimnazin. Disa reflektime të shkurtra, se përse këta studentë apo mësues të ardhshëm në Gjermani interesohen për shqipen:
Së pari, siç dihet emigrimi i shqiptarëve nga gjithë zona shqipfolëse po duket aq shumë, saqë tashmë në shkolla fillore e gjimnaze gjermane ka shumë nxënës me origjinë shqiptare. Mësuesi dhe mësuesja e ardhshme kërkon të njihet me gjuhën shqipe sepse dëshiron që nxënësit, sidomos ata që vijnë me njohuri të dobëta të gjermanishtes, të ndihen të pranueshëm në mjedisin e ri. Gjuha është mjeti më i rëndësishëm për ta bërë individin të ndihet pjesë e mjedisit të ri. Një mësues që i flet nxënësit gjuhën e tij të origjinës nga njëra anë e motivon nxënësin, dhe nga ana tjetër e bën atë të kuptojë që gjuha e tij është e pranueshme në këtë mjedis, dhe që siç mëson ai gjuhën e mjedisit pritës, edhe mjedisi pritës mëson gjuhën e tij!
Së dyti, komunikimi me prindërit e këtyre fëmijëve është shumë i rëndësishëm për mësuesin. Ndodh që prindërit shqiptarë e dinë gjermanishten deri në një nivel që mund të komunikojnë lirisht me mësuesin, por ka dhe raste që prindërit janë pa njohuri. Kandidatët për mësues zgjedhin të mësojnë gjuhë të huaja si shqipja, duke e ditur që në të ardhmen kjo do të lehtësojë punën e tyre.
Së treti, promovimi i multilingualizmit dhe diversitetit gjuhësor mbetet çështje globale dhe shumë e rëndësishme në vendet e lira dhe demokratike!
Kemi punë përpara!
Ledion Hala, Pedagog në Universitetin e Regensburgut
Nga data 13-17 maj fokusi i Universitetit të Regensburgut do të jetë në një vend: Shqipëria. Këtë vit Europeum, qendra që promovon vendet dhe kulturat e Europës ka vendosur t’ia kushtojë Shqipërisë. Do të nisë me një kurs prezantues të gjuhës shqipe nga unë, dhe do të vazhdojë me një seri eventesh dhe ligjëratash. Edhe mensa e universitetit do të gatuajë gatime shqiptare, që të gjithë studentët të shijojnë copëza të Shqipërisë në çdo cep të universitetit. I gëzohem këtij bashkëpunimi me Europeum.
Ky poster nuk është ngjitur vetëm në zyrën time, por në çdo cep të universitetit.
@NewsIn.Al

