Rusia i “shtrin dorën” Koresë së Veriut për armë, Kim Jong Un drejt Rusisë me tren të blinduar
Pas Kinës, Moska kthen sytë nga një tjetër vend mik, në përpjekjen për të siguruar ndihmën e nevojshme ushtarake për luftën në Ukrainë. Lideri autoritar i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, planifikon të udhëtojë drejt Rusisë, këtë muaj, për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin.
Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara, që citohet nga mediat amerikan, deklaroi se dy udhëheqësit, do të diskutonin mbi mundësinë që Peniani t’i sigurojë Moskës armatime. Takimi i mundshëm vjen ndërsa Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se ka informacione të reja se negociatat për armë mes Rusisë dhe Koresë së Veriut po avancojnë, pasi ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Penianin në korrik, në përpjekjet për të bindur shtetin komunist t’i shesë Moskës municione artilerie.
“Kemi informacione se Kim Jon Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, duke përfshirë angazhim diplomatik në nivel udhëheqësisht me Rusinë”, tha Adrienne Watson Zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Ka shqetësim në rritje si në Uashington ashtu edhe Seul mbi atë që Koreja e Veriut do të marrë në këmbim për një marrëveshje të tillë, e cila mund të rezultojë në rritje të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve në Azi. Vendndodhja e saktë e takimit të planifikuar mes Kim Jong Un dhe Putin nuk është e qartë. Burime thanë për “New York Times” se Kim Jong Un me shumë gjasë do të udhëtonte me tren të blinduar.
Dy liderët u takun për herë të fundit në prill të 2019-s kur Kim erdhi me tren në Vladivostok. Me gjasë kjo ishte hera e fundit që ai ka udhëtuar jashtë vendit.
@NewsIn.A

