SA I VJETËR ËSHTË PRAPASYNIMI I PASKAL MILOS PËR SKËNDERBEUN
Vitet e fundit Paskal Miloua ka hedhur mendimin se Skënderbeu nuk është shqiptar, por sllav. Nuk di sesa njohuri ka zoti Milo për Mesjetën, pasi nga të folurat nëpër ekrane të ndryshme kam krijuar përshtypjen se është ekspert i historisë së lëvizies komuniste në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë duke parë tezën e mësipërme, mendoj se mund të ketë shfletuar diçka nga ajo kohë.
Çdo lexues që ka pasur në dorë disa libra të shkruara nga autorët tanë të vjetër, mund ta dijë se teza (e shkruar me të zeza) e zotit Paskal është plot 386 (treqind e tetëdhjetë e gjashtë) vite e vjetër. Kjo tezë është hedhur prej Jan Tomkut (sllav nga kombësia), i cili thoshte se Skënderbeu nuk është djalë i Gjon Kastriotit, por i një njeriu të quajtur Juanis Margnaviç. Asi kohe dijetari Frang Bardhi nëpërmjet Apologjisë për Skënderbeun, sqaroi opinionin botëror për gënjestrat e shpërndara prejTomkut. Qysh në krye të veprës së sipërpërmendur, zoti Bardhi thotë se kjo është “një gjë fund e krye e rremë” dhe se libri i Jan Tomkut (i cili sipas autorit edhe biografinë e vet e ka të gënjeshtërt) “është për t’u flakur”.
Paskal Milua dhe disa autorë të tjerë të sotëm prapasynojnë gjithashtu, të mjegullojnë publikun shqiptar, me tezën tjetër se Mëma e Gjergj Kastriotit, Zonja Vojsava, është nga fisi i Tribalëve dhe ky fis është sllav, por përveç emërtimit Tribal (Tri Ballë Bardhët, që është shqip), kemi dëshminë e Gavril Darës së Ri (familja e të cilit ka shtegruar prej Shqipërie në Itali në vitin 1482), se ai vjen prej fisit shqiptar të Tribalëve. Në parthënien për Arbëreshët e këngës së sprasme të Balës, zoti Dara thekson: “…ndër të parët ishin gjyshërit e mi Merkuri dhe Njanji i Darenjëvet, gjërinj të Kastriotit nga ana e Vojsavës, nënës së tij e bija e princit të Mirditasve (bija e princit të Tryballëvet…)”.
Nuk mundet ta marrim me mend pse zoti Milo rimori një tezë 386-vjeçare, të flakur si gjë fund e krye të rremë prej dijetarit Frang Bardhi, por është e qartë se përqaset me një frymë antishqiptare të shpërndarë dhjetë vitet e fundit.
ERGET CENOLLI #EDREJTAEAUTORIT
@NewsIn.Al

