Ish-kryeministri, Sali Berisha:
“Nëse do të pranoja pazarin që më ofruan…s’do të isha non grata dhe as dhëndri në burg”!
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka pretenduar se pas zgjedhjeve parlametare të 25 prillit 2021, kreu i qeverisë Edi Rama ka bërë marrëveshje me Lulzim Bashën dhe nëse edhe vetë do kishte pranuar të përfshihej, sot s’do të ishte non grata dhe as dhëndri i tij në burg.
Berisha hodhi akuza se zgjedhjet e prillit 2021 ishin mbyllur në tavolinë, pasi sipas tij, “Lulzim Pengu” i shiti Ramës zgjedhjet pasi është i kapur nga një dosje që ia mban varur kryeministri.
“Edi Rama qeverisjen pas 25 prillit e kishte mbyllur me Lulzim Pengun. Ky i fundit i kapur me dosjen që ja mban varur Edi Rama shiti zgjedhjet dhe në fund dërgoi njerëzit e tij për të marrë uratën e Sali Berishës, për bashkëqeverisje. Atë ditë nëse unë kisha pranuar atë marrëveshje sot nuk do të isha non grata, nuk do të kisha dhëndërrin padrejtësisht në burg”, tha Berisha.
Ai theksoi se ky pazar me Edi Ramën do të ishte thikë pas shpine në zemrën e shqiptarëve dhe se do të ishte vdekja e opozitës, firmosja për të shkatërruar kombin.
Berisha deklaroi se pasi i refuzoi njerëzve të Bravës këtë propozim, Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës.
“Ashtu si Enver Hoxha ndaj opozitës së ’45, në vitin 2021, Edi Rama tentoi të asgjësojë politikisht Sali Berishën, kësaj here me plumbin e lobingut. Kontaktoi McGonigalin me mekanizma manipulativ dhe korruptiv, Sali Berisha dizenjohet non grata”, tha ish-kryeministri.
Sali Berisha: Nëqoftëse Enver Hoxha e rrëzoi me plumba opozitën, ky përsëri me gjithë përpjekjet më të mëdha që ka bërë nuk ja ka dalë të rrëzojë opozitën.
Në fakt kjo histori për të cilën ne jemi sot këtu fillon në prillin e vitit 2021, kur zgjedhjet ishin mbyllur në tavolinë pavarësisht nga lumenjtë e djersës që populli fisnik opozitar derdhi në ato zgjedhje për fitore e demokracisë.
Edi Rama qeverisjen pas 25 prillit e kishte mbyllur me Lulzim Pengun. Ky i fundit i kapur me dosjen që ja mban varur Edi Rama shiti zgjedhjet dhe në fund dërgoi njerëzit e tij për të marrë uratën e Sali Berishës, për bashkëqeverisje.
Atë ditë nëse unë kisha pranuar atë marrëveshje sot nuk do të isha non grata, nuk do të kisha dhëndërrin padrejtësisht në burg. Por si mund ta pranoja unë këtë.
Ky pazar me Edi Ramën do të ishte thikë pas shpine në zemrën e shqiptarëve. Ky pazar me Edi Ramën do të ishte vdekja e opozitës, firmosja për të shkatërruar kombin.
Pluralizmi është fëmija im, fëmija e të gjithë atyre që luftuan në ’90 për shembjen e diktaturës. Nuk mundet kurrë që unë të bëja një kompromis të tillë për të asgjësuar pluralizmin që sollëm në vitet ’90.
Pasi refuzova kategorikisht njerëzve të Bravës këtë propozim, Edi Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës. Ashtu si Enver Hoxha ndaj opozitës së ’45, në vitin 2021, Edi Rama tentoi të asgjësojë politikisht Sali Berishën, kësaj here me plumbin e lobingut. Kontaktoi McGonigalin me mekanizma manipulativ dhe korruptiv, Sali Berisha dizenjohet non grata.
@NewsIn.Al

