Shpreh keqardhjen për përdorimin e pavend të fjales “pellazg”. Mua më duket njësoj si të presësh degën e pemës mbi të cilën qëndron vetë…/Nga Teodor Osoja
– Fjala “pellazg” po përdoret shpesh për të emërtuar turma të caktuara shqipfolëse, të pakulturuara, apo të paedukuara, por shpesh edhe vetë popullin shqiptar, me nota negative.
Mua më duket se kjo është gjellë, e të njëjtës kuzhinë, që gatoi fjalën “çeçen” për shqiptarët e veriut, apo gegët në përgjithësi.
Në atë kohë çeçenët sapo ishin shtypur në përpjekjet e tyre për liri, me dhunë brutale dhe gjak. Ne nuk na lidh asgjë me çeçenët, as i njohim, as na njohin, por rrugëtimin në histori e kemi patur pothuajse njësoj, me përpjekje të mëdha për liri.
Çudia ime e atëhershme, që vazhdon edhe sot, është që si është e mundur që ne ta përbuzim këtë popull, pa e njohur fare? Ne nuk jemi as fqinjë e nuk kemi ndonjë histori bashkëjetese. Pra jemi aq larg e të huaj, sa nuk mund të kemi as edhe idenë më të vogël për njeri-tjetrin, lëre më pastaj të gjykojmë mbi njeri-tjetrin, qoftë për mirë, qoftë për keq, e të ndërtojmë perceptime masive shabllon.
Për mua kjo është një gjellë e gatuar diku tjetër, larg, sepse ka përbërës të panjohur për ne…
E njëjta dukuri po përsëritet me fjalën “pellazg”. U shfaq fillimisht para nja një dekade e gjysëm, a dy, me një kumt negativ. Sikur doli nga përdorimi më vonë, për tu futur përsëri në përdorim këto kohë.
Për mua, është një fyerje që i bëjmë vetes. Unë nuk them dot, nëse ne kemi lidhje apo jo me pellazgët, nëse rrjedhim prej tyre, ka teza pro dhe kundër kësaj, por di të them që nëse do të rezultonte ndonjëherë që të kishim ndonjë lidhje, atëhere tërë përbuzja që ka kulluar apo kullon ndonjëherë, nga buzët e shumë njerëzve, i bie të jetë gjellë e gatuar nga të tjerët. Në dijeninë time, askush nuk helmon ushqimin e vet, apo ushqimin që mund ta hajë edhe vetë.
Homeri i quan “pellazgët hyjnorë”. Ata kanë krijuar gjithë panteonin e hyjnive të antikitetit. Ishin një popull me një strukturë shpirtërore shumë të lartë dhe aq të fortë, saqë ndikimi i saj la gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit bashkëkohor (natyrisht tokën nuk e lëronin me traktor dhe nuk përdornin Facebook). Fetë moderne e kanë shfrytëzuar atë shtrat të pashkatërrueshëm, kur janë implementuar në shoqërinë njerëzore, duke përshtatur modelin e tyre me këtë shtrat të lashtë.
Sidoqoftë, ky është vetëm mendimi im. Doja vetëm të shprehja keqardhjen për përdorimin e pavend të kësaj fjale. Mua më duket njësoj si të presësh degën e pemës mbi të cilën qëndron vetë. Në mos rrjedhim nga pellazgët, për një gjë jam i sigurt. Ndikimi i tyre në jetën, mentalitetin, mënyrën e të menduarit, strukturën shpirtërore, etj, të shoqërisë moderne është shumë i madh dhe pikërisht për këtë arsye edhe i padukshëm, apo jo kollaj i kuptueshëm, sepse është organik dhe pjesë rrënjore e jona, dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për shqiptarët, por për tërë shoqërinë perëndimore. Rrënjët sado që nuk duken, dihet që aty janë: nën tokë…
@NewsIn.Al

