Saturday, October 18, 2025
spot_img
HomeAktualitetiShtyhet seanca paraprake në GJKKO për Erion Veliajn

Shtyhet seanca paraprake në GJKKO për Erion Veliajn

Shtyhet seanca paraprake në GJKKO për Erion Veliajn

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të zhvillohej sot seanca paraprake në lidhje me dosjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe disa personave të tjerë të përfshirë në hetim.

Seanca ishte parashikuar të niste në orën 09:15 për të marrë vendimin nëse çështja do të kalojë në gjykim apo jo.

Por seanca u shty për shkak të mungesës së avokatëve, të cilët kanë bojkotuar gjyqet pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 Tetor.

Kujtojmë se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Veliaj, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten e tij, ka ndërtuar një skemë të sofistikuar korrupsioni dhe pastrimi parash. Sipas SPAK, ata kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës dhe kanë marrë ryshfete nga biznesmenë e kontraktorë të bashkisë, përmes një rrjeti kompanish private dhe organizatash jofitimprurëse.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se nga kjo skemë, çifti ka përfituar rreth 1 milion euro, të cilat janë përdorur kryesisht për blerje luksoze online nga Ajola Xoxa.

Pavarësisht kërkesës së Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, Gjykata e Lartë e rrëzoi më 2 tetor rekursin e tij. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka konstatuar se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë tentuar të ndikojnë në procesin hetimor, duke ndërhyrë në prova, kërcënuar dëshmitarë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Dosja e Veliajt 

Prokuroria thotë se hetimet provuan marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste. “Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.

Sipas SPAK, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.

Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.

Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.

“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera edhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit”, thuhet në deklaratën e SPAK.

Nën akuzë janë edhe biznesmenët apo bashkëpunëtorët e çiftit: Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci. Përveç tyre, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments