Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili përballet me akuzën për “shpërdorim detyre”.
Gjatë seancës së parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme paraqitën listën e dëshmitarëve që pritet të thirren në këtë proces. Sipas burimeve nga salla e gjyqit, dëshmitari i parë që do të dëgjohet është Lirim Fejzollari.
Organi i akuzës pretendon se nga procedurat e privatizimit të një objekti shtetëror është shkaktuar një dëm financiar për buxhetin e shtetit që llogaritet rreth 7 miliardë lekë. Këto pretendime janë pjesë e dosjes hetimore që po shqyrtohet nga GJKKO.
Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se është i pafajshëm dhe se do t’i kundërshtojë ato në rrugë ligjore.
@NewsIn.Al
