SPAK NUK NDALET/ Si po shpërbëhen grupet kriminale të lidhura me politikën para zgjedhjeve të 2025. Strategjia: një javë arreston kriminelë, javën tjetër politikanë
Prokuroria e Posaçme është në qendër të vëmendjes. Një numër i madh personazhesh të njohur të botës së krimit, politikanë, funksionarë apo ish zyrtarë, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe atij lokalë, vazhdojnë të kapërcejnë pragun e godinës së SPAK-ut në Tiranë, prej nga të cilës jo të gjithë po dalin prej andej. Kemi dëgjuar shpesh nga politika të ngrihen akuza të rënda për trafiqe, për bashkëpunim të ngushtë të politikës me krimin. Janë përmendur emra, janë evidentuar fakte konkrete, i është kërkuar drejtësisë të marrë seriozisht çështje që kanë të bëjnë me krime, por më parë asgjë nuk lëvizte. Tashmë kthesa e madhe ka ndodhur dhe kjo falë financimit dhe ndihmës amerikane. Si kurrë më parë, drejtësia e re nuk po stepet dhe para emrave me peshë, por edhe të kriminelëve që më parë nuk kishin guxim t’i përmendnin e jo më të lëshonin urdhër-arreste. Siç i kemi parë goditjet e fundit, SPAK po ecën me strategji të qarta. Po goditen të dyja krahët.
Nga operacionet që ka bërë Prokuroria e Posaçme ka dalë qartë simbioza e krimit dhe politikës. Ajo bëhet edhe më e fortë kur ka zgjedhje. Por vetë Altin Dumani zbuloi në raportimin e tij të fundit në Kuvend se SPAK po përgatit një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore. “Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, u shpreh Dumani.
SPAK një javë arreston kriminelë, javën tjetër politikanë
Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar së fundmi disa mega-operacione që kanë tronditur personazhe të njohur të botës së krimit. Janë zbardhur vrasje që kanë qenë pa autor prej vitesh, por edhe kanë dalë emra të drejtësisë, policisë dhe politikës të lidhur me kriminelë. Bashkëpunimi i ngushtë i SPAK me autoritetet e huaja ka bërë që të paprekshmit të gjithë të fundosen. Operacioni i fundit ndodhi dy ditë më parë ku u zbardhën autorët e 4 atentateve me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019. Por përpara se të goditeshe krimi, SPAK arrestoi dhe ish-ministrin Ilir Beqaj. Pra të dyja krahët nuk po i lë të qeta në mënyrë që zgjedhjet e 2025 të jenë të pavarura, pa presione, shantazhe nga “të fortët” e financuar nga politika.
Operacionet e SPAK nuk do të ndalen me kaq, pasi gazetari Artan Hoxha ka paralajmëruar se është një tjetër dosje e madhe gati. “Është një për Shqipërinë e mesme, ku kujdeset, Elbasan-Tiranë-Durrës dhe që pritet të zbritet poshtë në Jug”, tha Hoxha. Goditjet e këtyre kriminelëve pritet të nxjerrin emra politikanësh “VIP”, pasi SPAK po heton pushtetarë të lartë të lidhur me krimin e organizuar, në afera për blerje votash, si edhe shantazh ndaj kundërshtarëve. Mësohet se ata po zbërthejnë komunikimet mes tyre në aplikacione si EncroChat, Sky Ecc por, edhe Matrix, apo edhe në telefona “BQ”. Nuk ka dyshim se politika dhe krimi janë binjak dhe operacioni i SPAK do shkëpusë oksigjenin që politika i jep krimit dhe krimi ti gjendet në ditë të vështirë politikës. (O M Press)
@NewsIn.Al