Suliotët, serenatat dhe “sigurimsat” e sotëm të internetit…
Nga njëra anë ishin dhe janë të “plotfuqishmit e radhës”, ata që gjatë gjithë këtyre viteve nuk i dhanë asnjë anëtari të familjes Sulioti mundësinë, për as një projekt, as një mirënjohje, as një kartushkë pa vlerë (sa për sy e faqe) për kontributin e tyre jo të vogël (më falni për mungesën e modestisë) në të gjitha llojet e muzikës. Pak rëndësi ka nëse quhej e lehtë, serenatë, opera, popullore, romancë, qyterare qoftë edhe “tallava”. Fakte që nuk mund t’i mohojë askus, të zeza mbi të bardhë. Dhe, për fat të keq, vazhdojnë ende t’i përjashtojnë por për këtë do të flasim gjerësisht në të ardhmen e afërt.
Nga ana tjetër, së fundmi u shfaq një lloj i ri “sigurimsi” online, i cili vendosi, muajt e fundit të bëhet “influencer” dhe të marrë rolin e gjykatësit: të vendosë psh kush këngëtar është i madh e kush nuk është, kush duhet të këndojë e kush jo, si duhet të interpretohen këngët dhe si jo!
Dhe të gjitha këto duke përdorur emrin, këngët dhe fotografitë e anëtarëve të familjes Sulioti.
Madje, nuk ngurron të shkruajë edhe histori nga “vrima e çelësit” për njerëz që nuk jetojnë më dhe që, natyrisht, nuk mund t’i përgjigjen. E të gjitha këto vetëm për disa (pëlqime/like) më shumë në portalet e Korçës për λ t’u vetëemëruar si autoritet i dijes ose si “figurë” në qytet, vetëm e vetëm për ta vënë re disa nga miqtë e tij të dikurshëm, të cilët ndërkohë janë bërë “pushtetarë” dhe nuk i kushtojnë as vëmendjen më të vogël. Kështu, ai na përmend vazhdimisht ne, por edhe të afërmit e këngëtarëve të tjerë, vetëm e vetëm për të rritur ndikimin e tij. Por më kot. Dhe, në gjithë këtë delir, kur nuk është në gjendje të na japë as të drejtën elementare demokratike për t’u përgjigjur me argumentet tona, zgjedh të na bllokojë dhe më pas të na kërcënojë me mesazhe vulgare.
Dhe, në fund, jeni ju. Ju që gjatë gjithë këtyre viteve na keni dashur, na keni mbështetur dhe na keni mbajtur lart në zemrën e këtij qyteti. Ju që na përcillni nga një brez te tjetri, duke mbajtur gjallë këngët, zërat dhe historinë tonë. Ju që na mbushni me mesazhe dashurie dhe mbështetjeje sa herë që dikush përpiqet të vërë në dyshim atë që koha e ka dëshmuar tashmë.
Sepse një artist mund të humbasë shumë gjëra gjatë rrugëtimit të tij. E sidomos në Korçë. Mund të humbasë mundësi, skena, poste, ftesa për projekte dhe miq. Por gjëja e vetme që nuk mund të humbasi janë gjurmët që ka lënë pas.
Në çdo rast, Suliotët do të vazhdojnë rrugën e traditës së tyre. Qoftë pa projekte, pa ftesa nëpër festivale, kore, formacione etj. Sepse edhe sikur të djegësh të gjithë pyllin, bilbili nuk do të pushojë së kënduari.
Dhe ne do të këndojmë. Për ata që ikën. Për ata që do të vijnë. Dhe mbi të gjitha, për ju që na mbani gjallë…
Aleksandrino Ikonomidhi SULIOTI
@NewsIn.Al
